The news is by your side.

Franca shqyrton aplikimin e taksës mbi shërbimet e Internetit dhe Trump u acarua përsëri- të tjera tarifa?

Ligjvënësit francezë mund të miratojnë sot një projekt-ligj për  vendosjen e një taksë të re mbi shërbimet e ofruara nga kompanitë e mëdha të internetit dhe rrezikojnë një reagim të frikshëm nga administrata Trump. Kjo masë do të vendoste një taksë prej 3% mbi të ardhurat e fituara nga kompanitë e mëdha të internetit në Francë. Zbatimi i taksës digjitale për bizneset me të ardhura globale, do të sillte më shumë se 750 milionë euro nga kompanitë e huaja dhe 25 milionë euro nga ato operuese në Francë.

Vetë përfaqësuesi i Tregtisë së Shteteve të Bashkuara referuar taksës, njoftoi të hënën një hetim të ashtuquajtur Seksioni 301, duke paralajmëruar se tatimi i propozuar nga qeveria franceze mund të diskriminojë kompanitë amerikane. Ky veprim nënkupton se Shtetet e Bashkuara mund të përfundojnë duke vendosur tarifa hakmarrëse ndaj produkteve franceze.

“Shtetet e Bashkuara janë shumë të shqetësuara se taksa e shërbimeve digjitale që pritet të kalojë Senati francez cënon në mënyrë të padrejtë kompanitë amerikane. Madje sipas strukturës së taksës dhe deklaratave të zyrtarëve, duket se Franca po synon padrejtësisht tatimin e kompanive teknologjike me bazë në SHBA”, u shprej  Përfaqësuesi i Tregtisë së SHBA, Robert Lighthizer.

Përfaqësuesi i Tregtisë i bëri thirrje vendeve të presin për “një marrëveshje shumëpalëshe deri në  adresimin e  sfidave ndaj sistemit ndërkombëtar të taksave të një ekonomie të digjitalizuar globale”. Pavarësisht kësaj, në të njëjtën kohë administrata Trump ka filluar një hetim, të ngjashëm me atë të tarifimit të mallrave kineze, referuar çështjes në fjalë. Ende nuk dihet afati rreth kundërpërgjigjes finale nga SHBA dhe as përqasja që amerikanët do të mbajnë. E gjitha mbetet për t’u parë!

Megjithatë duket se taksa digjitale e qeverisë franceze nuk është e padëgjuar dhe aplikohet për herë të parë. Disa vende evropiane duke përfshirë edhe Mbretërinë e Bashkuar po konsiderojnë taksa të reja për kompanitë digjitale si masë për të rregulluar më mirë internetin dhe për të kapur më shumë të ardhura nga aktivitetet e tyre. Vetë plani i Britanisë së Madhe, i njoftuar në Tetor, do të zbatonte një taksë prej 2% për shërbimet digjitale të shitura nga kompanitë  me të ardhura vjetore globale prej të paktën £ 500 milionë (627 milionë dollarë). Zbatimi i saj është planifikuar të fillojë në Prill të vitit 2020.

Edhe më herët gjatë Qershorit, ministrat e financave të G20 mbështetën gjerësisht një plan të zhvilluar nga Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim për të përmirësuar rregullat globale të taksave të korporatave, për të adresuar sfidat në tatimin e kompanive digjitale. Por duke qënë se ka implikime të shumta për korporatat tradicionale shumëkombëshe, duket se nisma e propozuar do ndeshet ne pengesa serioze.

/ Përshtatur nga CNN

Leave A Reply

Your email address will not be published.