The news is by your side.

FMN: Ulja e pragut të TVSH-së duhet rishqyrtuar. Politikë jo efektive!

Raporti i fundit i Fondit Monetar Ndërkombëtar, përveç të tjerash ka dhënë edhe vlerësimet përkatëse referuar Tatimit mbi Vlerën e Shtuar. Sipas analizave Shqipëria rezulton me efektivitetin më të ulët në rajon për sa i përket grumbullimit të TVSH. Si rrjedhim FMN ka kërkuar një rishikim të dytë të masës së fundit për uljen e pragut të regjistrimit të TVSH-së nga 5 në 2 milionë lekë.

Renditja e dobët e Shqipërisë tek efektiviteti i mbledhjes së Tatimit mbi Vlerën e shtuar ka ardhur si pasojë e intensitetit të lartë të përjashtimeve, normave të reduktuara dhe grumbullimit të dobët, ndaj sipas institucionit rekomadohet që masa të rishqyrtohet në kuadër të përmirësimit të efektivitetit të tatimit.

Nga 13 vende të Europës Juglindore dhe Ballkanit Perëndimor të marra në shqyrtim, FMN e renditi Shqipërinë të parafundit për efektivitetin e TVSH dhe ky shihet si një vlerësim serioz, në kohën kur TVSH është padyshim një ndër kontribuesit më thelbësorë tatimorë në buxhetin e shtetit.

Prej 1 Prillit të vitit të kaluar pragu i TVSH-së për biznesin e vogël u ul nga 5 në 2 milionë lek dhe që në fillim FMN jo vetëm i ka kushtuar shumë vëmendje, por edhe është shprehur kundër pasi sipas projeksioneve kjo politikë do të rriste barrën tek administrata tatimore dhe përsëri nuk do të ndikonte në uljen e evazionit. Kështu sipas FMN, pasi pragu u reduktua, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve (DPT) u përball në 2018-ën me një sfidë të madhe në menaxhimin e zgjerimit të regjistrit të TVSH-së. Kjo pasi reduktim futi në sistem edhe 13,000 biznese të tjera të vogla, duke rritur me gati një të tretën bizneset në TVSH.

Si rrjedhim  menaxhimi i këtij grupi të tatimpaguesve në vazhdimësi i krijon barrë të shtuar Drejtorisë së Tatimeve dhe kur vjen puna tek rendimenti i të ardhurave, kthimi mbetet i ulët. Gjithashtu, sipas FMN kjo  sjell kosto shtesë edhe për bizneset më të vogla dhe nuk ka ndikim material në reduktimin e hendekut tatimor.

Fondi Monetar Ndërkombëtar gjithashtu ka theksuar se masat për të përmirësuar efektivitetin  varen shumë nga hartimi i politikave dhe suksesi i zbatimit të tyre. Kështu devijimet nga struktura e TVSH-së kanë minuar potencialin e të ardhurave dhe efikasitetin e tatimit, i cili ndikohet në masë edhe nga detyrimet e prapambetura të rimbursimit të tatimit.

Në këtë kuadër, nga institucionet përgjegjëse në vend, janë planifikuar masa në dy drejtime plotësuese. E para duke trajtuar natyrën strukturore të rimbursimeve e TVSH-së dhe duke reduktuar akumulimin e mëtejshëm të borxheve. Ndërsa sipas drejtimit të dytë krijohet një skemë të pagese me këste bazuar në konsultimet me sektorin privat. Por Fondi nga ana tjetër rekomandon se gjenerimi i bazës së TVSH-së dhe eliminimi i normave preferenciale do të përmirësonte dukshëm efektivitetin e të ardhurave të TVSH-së.

Leave A Reply

Your email address will not be published.