The news is by your side.

FMN kritika qeverisë: Kujdes me koncensionet! Kriza në energjitikë po pengon rritjen

Gjendja delikate e buxhetit, detyrimet e prapambetura dhe borxhi publik në nivele shumë të larta, të ardhurat me humbje dhe pa mundur të realizojnë planin fillestar, ishin disa nga arsyet që edhe vetë qeveria rishikoi ritmin e rritjes ekonomike të vitit aktual. Javën e kaluar vetë Ministrja e Financave Denaj deklaroi në Parlament se si pasojë e parashikimeve më optimiste sa sa duhej, rritja ekonomike e vendit do ishte rreth 3.4% nga 4.3% parashikuar fillimisht.

Por megjithë rishikimet në rënie të qeverisë, përsëri ndërkombëtarët nuk bien dakord me shifat. Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar gjithashtu rishikuan me rënie rritjen e ekonomisë shqiptare gjatë 2019-ës, por projeksionet e tyre janë shumë më të ulëta se sa qeveria. Respektivisht BB dhe FMN kanë parashikuar që ekonomia të rritet vetëm 2.9% dhe 3%.

Sipas tyre, ka një sërë arsyesh pse ekonomia shqiptare nuk do të rritet në nivelin e projektuar fillimisht. Kriza në sektorin e energjitikës dhe prodhimi në nivele të ulëta që nuk plotësojnë dot nevojat konsumatore dhe detyrojnë institucionet të kthejnë sytë nga import, është sipas ndërkombëtarëve një ndër arsyet kryesore.

Gjithashtu kriza politike dhe ngërçi që ka përfshirë institucionet në vend shihet nga Fondi dhe Banka Botërore si një tjetër arsye pse ekonomia nuk po rritet aq sa duhej, ndërkohë që për Bankën Botërore pengues në ecurinë pozitive po bëhet edhe zvarritja e zbatimit të reformave strukturore.

Nga ana tjetër, institucionet e huaja shkojnë në një njëjtën linjë kur vjen puna tek kontratat koncensionare të Partneritetit Publik Privat. FMN dhe BB i konsiderojnë koncensionet e shtuara si një rrezik serioz që po pengojnë zhvillimin ekonomik dhe apelojë qeverinë të ketë kujdes duke i monitoruar vazhdimisht për një menaxhim më të mirë të risqeve fiskale që koncensionet sjellin në ekonomi.

Këto shqetësime, Fondi Monetar Ndërkombëtar i ka theksuar përsëri së fundi, gjatë një takimi që përfaqësuesit e Misionit të Posaçëm të FMN kanë zhvilluar dje me Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko. Në fokus të diskutimit ishte jo vetëm ecuria e përgjithshme e ekonomisë dhe problemet e lartpërmendura, por edhe projektbuxheti i vitit të ardhshëm, një temë e shumëdiskutuar së fundi.

Në vazhdim të vizitës në Shqipëri, Misioni i FMN pritet të takojë edhe drejtues dhe ekspertë nga Ministria e Financave, të cilëve nga hera e fundit iu ka lënë porosi të shumta rreth çështjeve që duhen shqyrtuar me kujdes pasi sipas FMN po pengojnë zhvillimin ekonomik të vendit. Ato lidheshin kryesisht me kontratat koncensionare dhe detyrimet e prapambetura.

Leave A Reply

Your email address will not be published.