The news is by your side.

Firmat “Zombie” paralizojnë ekonominë britanike

Në valën e tensioneve politike rreth Brexit dhe gjendjes së pasigurisë, pasojë e kësaj të fundit, duket se telashet në ekonominë britanike nuk përfundojnë me kaq! Ajo po përballet gjithnjë e më tepër me një numër në rritje të “firmave zombie” që janë duke zvarritur rritjen dhe kërcënojnë hapur me përkeqësime të ardhshme duke thelluar hendekun e rënies së pritur.

Sipas një analize të fundit nga KPMG dhe përfundimeve të kontabilistëve, një në shtatë firma në Mbretërinë e Bashkuar është potencialisht “nën tendosje financiare të qëndrueshme” dhe falë normave të ulëta të interesit godet hapur konkurrentët e tregut. Këto firma po “mbysin” rivalët e shëndoshë, të cilët në kushte të ngjashme ekonomike, ku janë duke vepruar ndoshta do të kishin ndërprerë të bërit biznes. Madje në raportin e publikuar të hënën, KPMG paralajmëroi se rritja e firmave Zombie në Britani mund të shkaktojë edhe më tepër probleme.

Për të përkufizuar një firmë të tillë, duket se është më e vështirë se sa mendohet, pasi ekspertët e ekonomisë zakonisht shfaqin pikëpamje të ndryshme rreth situatës. Ajo çka i bashkon janë kushtet në të cilat një firmë e tillë operon në treg. Kështu pavarësisht pikëpamjeve të ndryshme për atë se çfarë përbënte një firmë të tillë, sipas tyre, një kompani ku qarkullimi është statik ose në rënie, përfitueshmëria është vazhdimisht e ulët, kufizimet paraqiten shumë shtrënguese, paratë likuide dhe rezervat e kapitalit janë të kufizuara, nivelet megjithëse të larta kanë aftësi të kufizuar për të investuar për të ardhmen, janë ato që do e poziciononin një kompani në rangun e një fime “Zombie”.

Të tjerë ekspertë e përcaktojnë një firmë zombie si një që operon në treg me vështirësi, por nuk është në gjendje të mbulojë kostot e shërbimit të borxhit me fitimet e saj. Megjithatë një përkufizim i tillë ha debat sepse mund t’i bashkangjitet edhe kompanive të mirënjohura e firmave të tilla si Tesla për shembull, e cila njoftoi së fundmi se kishte humbur 702 milion dollarë në tre muajt e parë të vitit duke përfunduar tremujorin me rreth 10 miliard dollarë borxhe. Ndaj ky nuk është rasti dhe përkufizmi nuk merret shumë për bazë!

Autorët shqyrtuan 21,000 kompani në Mbretërinë e Bashkuar, duke përdorur informacionin e llogarive vjetore të tre viteve të fundit dhe zbuluan se 8% e kompanive shfaqnin pikërisht simptoma të ngjashme me ato të lartpërmendura. Megjithatë, ata shtuan se bazuar në shifrat e fundit dhe të dhëna të tjera ekonomike, nisur edhe nga ndikimi aktual i paqëndrueshmërisë politike në ekonomi, përqindja e kompanive të tilla në të gjithë vendin mund të rezultojë deri në 14%. Përqendrimet më të larta të firmave zombie ishin në sektorët e energjisë, automobilave dhe shërbimeve. Në sektorin e energjisë, shumë kompani në vitin 2018 u goditën nga rënia e çmimit të naftës, ndërkohë që prodhuesit e makinave dhe kompanitë e shërbimeve publike ende përballen me konkurrencë të ashpër nga infuenca e huaj dhe zhvillimet teknologjike.

Nga 21,000 kompanitë private të analizuara nga KPMG, 60% rezultuan të shfaqnin një ose më shumë prej simptomave, ndërsa 8% shfaqeshin tre ose më shumë. Sipas Blair Nimmo, bashkëautor në hulumtim, në rast të shtrëngimit të likuiditetit, shumë prej këtyre bizneseve do të dështonin. E nëse kjo do të ndodhte, “potenciali i infektimit” të ekonomisë do të ishte një

realitet i vërtetë, duke krijuar sfida më të gjera për një ekonomi që tashmë ka fronte të tepërta lufte me të cilat përballet kohëve të fundit.

Interesant është fakti se sipas studimit, firma të tilla të dëmshme për zhvillimin ekonomik dhe përgjegjëse për paralizimin e situatës, aktualisht shfaqin qëndrueshmëri në treg dhe nuk dalin prej tij. Kështu argumentohet se në recesionet e mëparshme, bizneset që shfaqnin produktivitet, automatikisht ndalonin të bërit biznes duke dale nga “loja” dhe duke u dhënë mundësinë kompanive të reja dinamike për të siguruar kapitalin e investuar në biznese me rritje të lartë.

Grupi i ndërtimit Carillion për shembull është një rasti i një kompanie të profilit të lartë në Mbretërinë e Bashkuar që pavarësisht vështirësive financiare të disa viteve përpara rënies në janar 2018, kishte arritur t’ia dilte disi duke marrë kontrata që mund të kishin kaluar nga konkurrentë financiarisht më të shëndetshëm gjatë atyre viteve.

Më 2 maj, guvernatori i Bankës së Anglisë Mark Carney paralajmëroi se një rimëkëmbje modeste gjatë tre viteve të ardhshme do të kërkonte norma më të larta interesi sesa tregjet financiare kishin parashikuar aktualisht. Në kuadër të kësaj deklarate, sipas KPMG, rritja e mëtejshme e normave të interesit, do të bënte që disa nga këto biznese të përballeshin me vështirësi në pagesat e tyre. Kështu për pasojë, nëse ekonomia do të vazhdon të binte, ato do të mbeteshin veçanërisht të pambrojtura ndaj forcave të tregut të kundërt ose nga shtrëngimi i likuiditetit.

Sipas Yael Selfin, krye-ekonomisti i KPMG-së, pavarësisht nëse flitet në kontekstin e paqëndreshmërisë së Brexit ose jo, kërcënimi që kompanitë zombie paraqesin për ekonominë është shumë më i gjerë.. Shumë nga këto biznese joproduktive, megjithë gjendjen plot pengesa të kohëve të fundit, përsëri kanë gjeneruar fitime të mjaftueshme për të vazhduar tregtinë. Por ajo çka vihet re është se atyre u mungon inovacion, dinamizëm apo investimet e nevojshëm për të mbështetur rritjen. Kjo ka krijuar dhe pritet të vazhdojë të krijojë, një tërheqje në produktivitetin e Mbretërisë e Bashkuar.

Që prej krizës financiare, produkti britanik ka qenë vazhdimisht i dobët duke u përllogaritur rreth 16% nën mesataren e ekonomive të përparuara G7. Investimet e biznesit për vitin e kaluar shënuan rënie, por sipas Bankës së Anglisë parashikohet një rritje e produktivitetit në një afat të shkurtër.

Leave A Reply

Your email address will not be published.