The news is by your side.

Eurozona me sytë nga Gjermania- pritet vlerësimi i ecurisë ekonomike

Duket se java që sapo filloi pritet të ketë zhvillime të shumta në tregje dhe Eurozona me gjithë investitorët e saj kanë kthyer sytë nga Gjermania, e cila do të zbulojë të mërkurën vlerësimet zyrtare rreth ecurisë ekonomike dhe projeksioneve të së ardhmes. Ekonomia më e madhe e Evropës merr këtë javë vlerësimin  për të zbuluar nëse ajo arriti të shmangë tkurrjen në tremujorin e dytë, apo ende situata vazhdon të bëhet më keq.

Si një ekonomi e varur pashmangshmërisht nga eksporti, Gjermania po ndikohet shumë nga lufta tregtare SHBA- Kinë dhe spekulimet se gjendet pranë një recesioni të madh vazhdojnë të rriten. Kompanitë globale me emër, përfshirë Continental, Daimler, BASF dhe Lufthansa kanë ulur parashikimet e tyre, ndërkohë që nivelet e shitjeve dhe fitimit kanë kohë që vetëm zbresin.

Prodhimi industrial regjistroi në Qershor rënien më të madhe vjetore në gati një dekadë, tregues se besimi ka rënë dhe të dhënat javën e kaluar treguan se eksportet po bien gjithashtu. Përveç kësaj, tregu i fortë i mëparshëm  i punës po tregon çarje të shumta.

Në pritje të së mërkurës, Bloomberg Economics ka llogaritur raportin paraprak të prodhimit të brendshëm bruto, i cili sipas tyre do ta tregojë ekonominë të kontraktuar me 0.1% në tremujorin e dytë, një pamje që përputhet edhe me parashikimin mesatar të ekonomistëve të Eurozonës. Rezultatet janë bazuar tek të dhënat aktuale, sipas të cilave ekonomia e përgjithshme e Unionit u zgjerua me vetëm 0.2% në periudhën në fjalë.

Parashikimi paraprak i ecurisë ekonomike gjermane, përpunuar nga Bloomberg

“Kjo do t’i japë Bankës Qendrore Evropiane akoma më shumë arsye për të vepruar në Shtator,” tha Jamie Rush, krye ekonomisti i Bloomberg Economics. “Treguesit e fundit sugjerojnë se rritja nën parashikime do të vazhdojë edhe në gjysmën e dytë të vitit aktual, por ekziston rreziku që dobësia në sektorin industrial të përhapet edhe në shërbime dhe të fillojë të ndikojë në tregun e punës. ” shtoi ai më tej.

/ Burimi: Bloomberg Economics

Leave A Reply

Your email address will not be published.