The news is by your side.

Erdogan lajmëron fillimin e ofensivës ushtarake në Siri

Turqia ka filluar një ofensivë ushtarake të planifikuar në veri-lindje të Sirisë. Ky lajm është njoftuar nga vetë Presidenti Rexhep Tajip Erdogan të mërkurën, vetëm disa ditë pasi administrata Trump njoftoi se po tërhiqte trupat amerikane nga zona kufitare.

“Qëllimi ynë është të shkatërrojmë korridorin e terrorit, i cili po përpiqet të vendoset në kufirin tonë jugor dhe të sjellim paqe në rajon.” ka deklaruar Erdogan. Ai shtoi se Turqia gjithashtu do të ruajë integritetin territorial të Sirisë dhe të çlirojë komunitetet lokale nga terroristët.

Ofensiva vjen ditë pasi Presidenti amerikan Donald Trump provokoi një stuhi kritikash, përfshirë edhe nga vetë partia e tij, duke njoftuar tërheqjen e forcave ushtarake amerikane nga rajoni. Vendimi i Trump  i dha Turqisë një dritë jeshile për të sulmuar forcat kurde të mbështetura nga SHBA, megjithëse Trump kërcënoi të ndëshkojë Turqinë ekonomikisht nëse ajo kundërpërgjigjet kështu.

Ankaraja i konsideron Njësitë e Mbrojtjes së Popullit Kurd, të njohur gjithashtu si YPG, si një grup terrorist i lidhur me Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit, e cila ka luftuar shtetin turk për më shumë se tre dekada. Por Shtetet e Bashkuara mbështesin YPG dhe u japin kurdëve ndihmë në mposhtjen e ISIS në Siri.

Përpara të mërkurës kur Erdogan bëri të ditur vendimin, Siria dënoi “sjelljen agresive” të Turqisë dhe “qëllimet armiqësore”. Kjo është konfirmuar nga agjencia shtetërore e lajmeve SANA. “Sjellja agresive e regjimit të Erdogan tregon qartë ambiciet ekspansioniste turke në territorin e Republikës Arabe Siriane dhe nuk mund të justifikohet me asnjë pretekst.” është shprehur një burim në Ministrinë e Jashtme.

/ Burimi: CNN

Gliqeri Riza

Leave A Reply

Your email address will not be published.