The news is by your side.

Eksperti Kadia: Që reformat të kenë sukses duhen patur parasysh këta tre faktorë

Në kuadër të konferencës ndërkombëtare “Free Market Road Show” ekonomistë, studiues, pedagogë dhe studentë kanë trajtuar problemet që janë hasur në tre dekada si dhe situatën në të cilën gjendet vendi.

Sipas tyre, sjellja e politikanëve në 29 vite si dhe mungesa e alternativave ekonomike janë shkaqet që Shqipëria mbetet ende një vend në tranzicion, pasi edhe pse kanë kaluar pothuajse 3 dekada pas rrëzimit të sistemit komunist, demokracia në Shqipëri mbetet ende e brishtë.

Eksperti i ekonomisë, Besart Kadia, ka vendosur theksin tek reformat, për ndërmarrjen e të cilave politikanët shqiptarë nuk kanë vizion. Ai është shprehur se nëse duam që reformat të kenë sukses atëherë duhet të kemi lidership vizionar, politika ekonomike koherente dhe mbështetjen popullore për reformat.

“Që reformat të kenë sukses, institucionet duhet të kenë parasysh tre faktorë kryesorë: E para, lidership vizionar. E dyta, politika ekonomike koherente me njëra-tjetrën gjatë procesit të transformimit. Dhe e treta, mbështetjen popullore për reformat që po ndërmerren. Edhe sikur të kemi pasur variantin e parë, politika vizionare, kemi dështuar në politika koherente dhe mbështetje popullore për reformat” – u shpreh Kadia.

Ndërkohë, nga ana tjetër, pedagogët Rezart Prifti dhe Adri Nurellari u shprehën se demokracia nuk është konsoliduar ende dhe se nevojiten alternativa të reja në ekonomi e politikë.

Nuk ka nevojë për një ekonomi të re por për një alternativë ekonomike, nuk ka nevojë për një shoqëri të re por për një alternativë për shoqërinë, nuk ka nevojë për shëndetësi të re por për alternativë në shëndetësi” – tha Rezart Prifti.

Jemi ende në një situatë ku zgjedhjet vihen në pikëpyetje, raporti i fundit linte të kuptohej se manipulimi, blerjet, deformimi ka qenë i përmasave të jashtëzakonshme. Ku shohim se sistemi ynë zgjedhor, kodi dhe administrimi me të vërtetë lënë të kuptohet se në Shqipëri jemi në vitet e para të tranzicionit dhe pse jemi në dekadën e tretë” – tha Adri Nurellari.

Konferenca “Free Market Road Show”, mbahet në 30 qytete të Evropës dhe është organizimi më i madh ekonomik në Evropë. Ky është sesioni i gjashtë që mbahet në Tiranë.

Leave A Reply

Your email address will not be published.