The news is by your side.

DW: Ja çfarë rrezikon Shqipëria nga konflikti SHBA- Iran

Ndërsa tensioni mes SHBA-ve dhe Iranit përshkallëzohet, Shqipëria anëtare e NATO-s e gjen veten në qendër të inateve të Republikës Islamike. Pas vrasjes së gjeneralit iranian Kassem Soleimani në një sulm me dron nga SHBA dhe konfliktet e ashpra që pasuan ngjarjen, të cilat tashmë janë intensifikuar ndjeshëm midis dy vendeve, udhëheqësi suprem i Iranit, Ali Khamenei, u ngrit kundër një objektivi të ri befasues: Shqipëria, një vend i vogël i Ballkanit në buzë të Evropës juglindore dhe shtet anëtar i NATO-s. “Ekziston një vend i vogël por i lig në Evropë në të cilin Amerikanët dhe tradhtarët kundër Iranit u mblodhën për të kundërshtuar Republikën Islamike, Shqipëria!” është shprehur ai.

Shqipëria është kapur tashmë në mes të një konflikti përshkallëzues midis SHBA dhe Iranit. Në të vërtetë, drejtuesit e lartë të shtetit, nga kryeqyteti, Tirana, mirëpritën vrasjen e Soleimanit. Ata dëbuan menjëherë dy diplomatët iranianë dhe raportohet se u përfshinë në aktivitete që konsiderohen të papranueshme për diplomatët.

Po pse është përfshirë pikërisht Shqipëria në këtë konflikt amerikano-iranian? Lidhja fillon disa vjet më herët dhe përfshin anëtarët e Mujahedinit të Popullit të Iranit (MEK), një grup me qendër në Irak që ka bërë përpjekje për të rrëzuar regjimin iranian. Pasi u rrëzua ish diktatori irakian Saddam Hussein, anëtarët e MEK në vend u bënë pre e sulmeve raketore iraniane. Udhëheqja iraniane e konsideron grupin si një organizatë terroriste. Grupi megjithatë, ka lidhje me SHBA të cilat më pas organizuan shtetin anëtar të NATO-s dhe vendosnin aleatët e Washingtonit në Shqipëri për t’u dhënë strehim mbi mbi 3,000 anëtarëve të MEK.

SHBA dhe Shqipëria arritën një marrëveshje humanitare dhe në vitin 2013, mijëra anëtarë të MEK u zhvendosën në shtetin ballkanik. Në të vërtetë, kryeministri shqiptar Edi Rama, pas kërcënimeve të Khamenei, e konsideroi zhvendosjen si rezultat të “aleancës së palëkundur” të vendit të tij me SHBA.

Rama pranon se marrja e anëtarëve të MEK paraqet rrezik për Shqipërinë, megjithatë ai tha që ishte një rrezik që “gjithashtu nderon dhe mban gjallë traditën shqiptare” – me anë të së cilës ai nënkupton rolin e mëparshëm të vendit në mbrojtjen e hebrenjve nga nazistët gjatë Luftës së Dytë Botërore. Shqipëria nuk deportoi as një hebre të vetëm në Gjermaninë naziste.

Edi Rama dhe Jens Stoltenberg

Por vetë anëtarët e MEK kanë frikë për sigurinë e tyre. Ata jetojnë në një kamp të madh të sigurisë së lartë pranë qytetit bregdetar të Durrësit, rreth 30 kilometra nga Tirana. Por tani që Irani është zotuar të hakmerret për vrasjen e gjeneralit Soleimani, ata shqetësohen gjithnjë e më shumë për sigurinë e tyre. Ndërsa siguria e kampit është forcuar, këshilltari ligjor i MEK, Behzad Saffari i ka thënë Deutsche Welle  se grupi nuk ndjehet i sigurt askund.“Terrorizmi i regjimit iranian përbën një kërcënim për ne kudo në botë. Ambasada iraniane në Tiranë dhe ato në kryeqytetet e tjera evropiane, janë qendra të operacioneve terroriste të regjimit.” ka theksuar ai.

Nga ana tjetër, organizata ka mirëpritur dëbimin shqiptar të diplomatëve iranianë. Saffari e vlerësoi këtë veprim duke thënë: “Ky është një hap i guximshëm dhe i nderuar në luftën kundër terrorizmit, ashtu edhe për mbrojtjen e sigurisë kombëtare shqiptare.”

Nga kampi i anëtarëve të MEK

Por, edhe para vrasjes së Soleimanit, zhvendosja e anëtarëve të MEK në Shqipëri tashmë kishte shkaktuar tensione të konsiderueshme midis shtetit ballkanik dhe Iranit. Në tetor 2019 për shembull, policia shqiptare zbuloi një qelizë terroriste të kontrolluar nga Irani që synonte të kryente sulme ndaj anëtarëve të MEK në Ballkan. Policia shqiptare beson se grupi është pjesë e forcës elitare Quds Force të Iranit.

Eksperti shqiptar për siguri Redion Qiriazi thotë se Ballkani është gjithnjë e më shumë nën kërcënim nga regjimi iranian dhe se sulmet kibernetike e terrorizmi përbëjnë rrezikun më të madh. Sipas Qiriazit, Irani posedon “burime të qëndrueshme dhe me përvojë” në këtë drejtim. Ai beson se Irani mund të kryejë sulme në territorin shqiptar, ose mbi forcat shqiptare që shërbejnë si pjesë e misioneve ndërkombëtare jashtë vendit, për shembull në Lindjen e Mesme dhe Azinë Qendrore.

Këshilltari i MEK Saffari paralajmëron se sulme të tilla paraqesin rrezik jo vetëm për Shqipërinë, por për tërë rajonin e Ballkanit. “Strategjia afatgjatë e Iranit është ta kthejë Ballkanin në një hyrje për fondamentalizmin islamik dhe terrorizmin në Evropë.” i ka thënë ai Deutsche Welle. Duke folur në një konferencë të sigurisë në Tiranë në fillim të këtij muaji, gjenerali amerikan Michael Barber paralajmëroi gjithashtu se Shqipëria duhet të mbetet vigjilente pasi të gjithë aleatët e SHBA-së mund të jenë në shënjestër të Iranit. Në një referencë të marrëveshjes së gurthemelit të bllokut trans-Atlantik për të bërë një mbrojtje të përbashkët, ai siguroi vendin që SHBA dhe NATO do të qëndrojnë pranë saj: “Aleanca do t’i përgjigjet çdo sulmi ndaj një prej anëtarëve të tij”.

Leave A Reply

Your email address will not be published.