The news is by your side.

Ç’thotë FMN për financat publike dhe Bankën e Shqipërisë

FMN si kreditor i qeverisë shqiptare ka kryer një vizitë monitoruese të ekonomisë sonë. Në tërsi, fondi jep një panoramë të qetë për rritjen ekonomike të Shqipërisë me rritje mesatare 4% por  me disa rekomandime specifike që janë në tërsi përgjegjësi e qeverisë shqiptare. Kështu detyrat specifike për qeverinë tonë mbeten: përmisim në qeverisje dhe politika ekonomike, lufta ndaj korrupsionit, përmisimi i aftësive të krahut të punës, përmisim të klimës së biznesit dhe ulje të borxhit publik e të administrimit të vjeljes së taksave. Të gjtiha këto janë sfida të kahershme të ekonomisë sonë dhe fakti që ripërsëriten për të disatën herë tregon që në tërsi qeveria ka anashkaluar sfidat afatgjata të ekonomisë sonë. Për më tepër ajo ka shtuar dhe rreziqe të tjera në ekonomi nëpërmjet kontratave PPP që sipas FMN-së janë të panevojshme dhe me risk të lartë për financat publike.

Qeveria Rama me ardhjen në pushtet në vitin 2013 e pa si të domosdoshme nënshkrimin e një marrveshje huamarrjeje me FMN me vlerë 400.4 milionë dollarë. Me përfundimin e marrveshjes në vitin 2017 po qeveria Rama vendosi të mos e vazhdojë këtë marrveshje “të konsolidimit të rritjes makroekonomike dhe të kontrollit të borxhit publik.” Anullimi i një marrveshjeje të dytë u pa në atë kohë si e qëllimshme nga ana e qeverisë Rama për të patur duart e lira për të nënshkruar kontratat 1 miliardë dollarëshe në formën e PPP-ve.

Në tërsi rreziqet që i shfaqen ekonomisë shqiptare ndahen në tre komponentë kryesorë: rreziku i rritjes ekonomike, rreziku i financave publike si dhe rreziku që vjen nga sektori financiar. Përsa i përket rritjes ekonomike theksohen vecanërisht vështirësitë që do të ketë ekonomia për shkak të mungesës së krahut të punës të kualifikuar. Vetëm nga viti 2015 Shqipëria ka humbur 0.6% të popullsisë në moshë pune duke ngadalësuar potencialin e rritjes ekonomike afatgjatë. Po ashtu rrezik tjetër vjen nga presionet e ekonomive partnere si Italia dhe Greqia si dhe nga goditjet shok që mund të vijnë nga mungesa e shirave e për rrjedhojë rënie e prodhimit të energjisë.

Por mbi të gjitha rreziku i financave publike mbetet shqetësimi kryesor për ekonominë tonë. Pagesat e prapambetura mbeten akoma problematike pasi ndikojnë direkt në klimën e të bërit biznes dhe në likuiditetin e shumë sipërmarrjeve vendase. Mbi 200 kontrata PPP arrijnë vlerën  3.1 miliardë euro dhe 1.5 miliardë euro të tjera janë në kontraktim e sipër. Vlera e pagesave vjetore të këtyre PPP-ve po arrin 500 milion euro në vit duke kaluar dhe tavanin ligjor për pagesa vjetore për PPP-të. Po ashtu është shumë problematike që ministria e Financave nuk ka një panoramë të plotë të kontratave të nënshkruara dhe nuk jep dot një “mendim profesional mbi përfitimin ekonomik të taksapaguesëve të këtyre kontratave”. 

Pra politika ekonomike katotike dhe “dobësim i institucione publike dhe qeverisjes ekonomike në tërsi” janë disa prej vulnerabiliteteve që i vijnë ekonomisë sonë. Rritja e taksave ndër vite nuk ka patur efikastitet pasi ajo nuk u kombinua me ulje të korrupsionit dhe me modernizim të vjeljes së taksave duke e bërë Shqipërinë vendin me performancën më të dobët në mbledhjes e taksave në raport me PBB-në. Në raportin e fundit të misionit të FMN-së për Shqipërinë ne marrim një panoramë të sfidave kryesore të ekonomisë sonë për vitet që vijojnë. Sipas këtij raporti reformat strukturore janë ngadalsuar dhe rreziku kryesor për ekonominë tonë vjen nga financat publike ku borxhi mbetet i lartë dhe detyrimet financiare prej PPP-ve do të vijnë në rritje. Pikërisht për këtë të fundit FMN thotë se duhen “zbutur rreziqet që vijnë nga PPP-të dhe Ministria e Financave duhet të marrë më shumë rol për të qënë konsistent në menaxhimin e investimeve publike”.

Ndërkohë rreziku që vjen nga sektori financiar paraqitet si minimal. Në tërsi FMN vë re se kapitali rregullator i sistemit bankar është 18% nga 12% që është rregullorja duke bërë bankat mjaft likuide dhe të aftë të menaxhojnë mirë rreziqet në të ardhmen. Po ashtu pozitive është fakti që kreditë me probleme tashmë janë në nivelin 11% nga 23% që arritën disa vite më parë duke inkurajuar Bankën e Shqipërisë për të vazhduar këtë trend pozitiv dhe në të ardhmen. Po ashtu sistemi bankar në Shqipëri po hyn në një fazë të re ku numri i bankave është reduktuar në 13 nga 16 dhe ku aktorë të tjerë lokal po zëvendësojnë bankat me kapital nga vendet e BE-së. Ky shteg i ri për sistemin financiar shqiptar duket se po mbikqyret nga Banka e Shqipërisë e cila sipas FMN ka rritur si inspektimet dhe mbikqyrjen ndaj bankave të nivelit të dytë. Rekomandimet për rritjen e shpeshtësisë së inspektimeve nga dy vite në cdo vit duket si një rekomandim i vlefshëm në kushtet kur kreditimi ka njohur rritje për herë të parë pas shtatë vitesh “përgjumjeje”. FMN arrin në përfundimin se “jemi konfident se rreziku bankar është i monitoruar dhe nën kontroll dhe se bankat vendase janë duke perfomuar mirë sipas standarteve dhe rregullave të reja financiare.”

Në tërsi ekonomia shqiptare përballet me të njëjtat sfida makroenomike që ka patur dhe para dhjetë vitesh. Kapitali njerëzor dhe rritja e produktivitetit në ekonomi mbeten ende të paadresuara. Kjo bëhet akoma më e vështirë kur financat publike shkojnë drejt infrastrukturës publike dhe shumë pak drejt zhvillimit të kapitalit njerëzor. Institucione të dobëta të mbikqyrjes ekonomike dhe burokraci e tepruar mbeten penguese për një klimë biznesi zhvillimore. Ndaj dhe rreziku i rritjes së ulet makroekonomike si dhe rreziku i financave publike mbeten prioritet i ekonomisë sonë. Pozitiv mbetet fakti qe pavarsisht sfidave të mëdha të lartpërmendura sistemi financiar mbetet i paprekur dhe i mirëkontrolluar nga Banka e Shqipërisë.

Leave A Reply

Your email address will not be published.