The news is by your side.

Çfarë mund të mësojmë nga Serbia dhe Maqedonia për investimet në teknologji

Në raport me çështjen e zhvillimit të industrisë dhe teknologjisë, vendet e rajonit si Serbia dhe Maqedonia janë në pararojë me investimet, ndërsa Shqipërisë është fokusuar më shumë te tregtia e naftës dhe ndërtimi.

Kur vendet e rajonin po e fokusojnë më së shumti energjinë e tyre dhe fuqinë për investime kundrejt inovacioni, industrisë dhe teknologjisë, vendi ynë vijon të mbetet i fokusuar te ndërtimi. Këtë gjë e tregon edhe renditja e 200 sipërmarrjeve më të mëdha në vend, ku 32 sipërmarrje ishin nga sektori i ndërtimit ose të lidhura me këtë sektor. Ndërkohë, edhe investimet e huaja janë të përqendruara te gazsjellësi TAP, hidrocentrali i Devollit, banka dhe telekomunikacione (kryesisht rritje kapitali).

Nëse i referohemi të dhënave nga Monito, në rajon shikojmë se vendet fqinje kanë një tjetër trend. Sipas agjencisë Reuters, e cila shkruante pak kohë më parë se Serbia po përpiqet që të shfrytëzojë teknologjinë e informacionit për të dalë nga stanjacioni ekonomik pas luftërave ballkanike të viteve ‘90. Kompanitë serbe po prodhojnë softuerë për industri të ndryshme, duke filluar nga bujqësia e deri në mjekësi, si dhe makinat me vetëdrejtim, call center, aplikacione të reja lojërash online, etj.

Edhe pse Serbia është një lojtar thuajse i parëndësishëm në botë, apo madje edhe në Evropën Perëndimore, ajo tani po gjeneron 10% të Prodhimit të saj të Brendshëm Bruto nga Teknologjia e Informacionit. Si pjesë e strategjisë, Serbia po tërheq investitorët e huaj me statusin e pagës së ulët, si dhe me subvencione deri në 10,000 euro për çdo punonjës.

“Teknologjia e Informacionit dhe axhenda dixhitale, janë e ardhmja e ekonomisë”, – është shprehur për Reuters, Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç.

Disa prej kompanive kryesore, duke përfshirë Microsoft, IBM dhe Intel, kanë krijuar qendrat e zhvillimit në Serbi, duke ofruar punë për vendasit kundrejt një pagese që është rreth tre herë më e lartë se paga mesatare mujore e Serbisë prej 420 eurosh, por shumë më e ulët nëse do ta krahasonim me atë të vendeve të Bashkimit Europian. Google po mbështet startup-et e Serbisë, duke lidhur programin Google Developers Launchpad, i projektuar për të ndihmuar komunitetet zhvilluese dhe startup-et që të rriten, me kompaninë teknologjike, Start, me qendër në Beograd.

Por përpos Serbisë, edhe Maqedonia nuk ngelet prapa sa i përket zhvillimeve dhe investimeve në teknologji. Në Maqedoni, ka një mbizotërim të prodhuesve të automjeteve, me kompanitë e huaja perëndimore dhe amerikane, që kanë investuar ndjeshëm vitet e fundit, të tërhequr nga lehtësitë fiskale, që shteti maqedonas u ka ofruar investitorëve përmes zonave të lira ekonomike, duke ndikuar në rritjen e punësimit dhe eksporteve në vend. Investimet e tyre janë të vogla në vlerë absolute, duke u luhatur në 20-30 milionë euro, por efekti në punësim ka qenë i konsiderueshëm.

Johnson Matthey DOOEL, prodhuesi maqedonas i katalizatorëve dhe pjesëve të makinave, vijon të jetë më i madhi i Maqedonisë, me të ardhura 1.5 miliardë euro në 2017-n, teksa ka rreth 800 të punësuar. Ky subjekt është dhe eksportuesi më i madh në Maqedoni, teksa të ardhurat e tij janë sa 75% e gjithë eksporteve shqiptare (që ishin rreth 2 miliardë euro në 2017-n, sipas INSTAT).

KROMBERG & SHUBERT MAKEDONIJA DOOEL Bitola, me aktivitet në prodhimin e sistemeve elektrike për automjetet, kishte të ardhura prej 150 milionë eurosh në 2017-n. Kompania ka mbi 4300 të punësuar. Qeveria maqedonase nënshkroi një kontratë me kompaninë gjermane Kromberg & Schubert në dhjetor të vitit 2011 dhe dy vjet më vonë, në tetor 2013, ata hapën një fabrikë për prodhimin e kabllove të makinave, të vendosura në zonën industriale Zhabeni, pranë Manastirit. Investimi ishte rreth 20-26 milionë euro.

Fabrika e re e autobusëve të Van Hool në Shkup, e përuruar në vitin 2014, ka të ardhura prej 135 milionë eurosh tre vjet pas hapjes së aktivitetit. Një porosi e madhe nga tregu amerikan për 500 autobusë nxiti prodhuesin belg të autobusëve të investonte 25 milionë euro në Maqedoni. Sot, fabrika ka rreth 400 të punësuar.

Zhvillimi i industrisë së automjeteve ka nxitur eksportet e vendit. Eksportet e mallrave dhe shërbimeve në Maqedoni ishin gati sa 50% e Prodhimit të Brendshëm Bruto në 2016-n, referuar të dhënave të Bankës Botërore, ndërsa në Shqipëri, ky tregues është gjysma, rreth 27%.

Ndërkohë, në krahasim, vendi ynë ka shpenzimi shumë të ulta për hulumtime shkencore dhe zhvillim, duke rezultuar në shifra që nuk e tejkalojnë nivelin e 0.18% të PBB-së, që shënon nivelin më të ulët në Evropë. Shqipëria karakterizohet si një vend me konkurrencë ekonomike dhe eksporte të ulëta, me një ekonomi që ende anon fuqishëm nga zhvillimi i dobët i teknologjisë.

Leave A Reply

Your email address will not be published.