The news is by your side.

Buxheti për kulturën i Maqedonisë 3 herë më lartë se ai i Shqipërisë

Ndonëse me një PBB relativisht më të lartë se Maqedonia dhe Kosova, si dhe me një numër më të lartë popullsie, Shqipëria ka një buxhet shumë më të vogël për Kulturën se sa dy vendet e sipërpërmendura. Për vitin 2019 Shqipëria ka parashikuar një buxhet prej 2.1 miliardë lekë, ndërsa buxheti i Maqedonisë për ministrinë e Kulturës për vitin 2019 arrin 3.140.216.000 denarë (50 mln euro), ose rreth 6.3 miliardë lekë, apo 3 herë më i madh se ai i Shqipërisë për Kulturën.

Ministri i Kulturës maqedonase, Asaf Ademi, është shprehur se me këto fonde do të sigurohen kushte për përmbajtje kulturore me cilësore në të gjitha sferat e kulturës që do të shpërndahen në tërë vendin, çka vjen si një nga synim strategjik për qasjen e kulturës për të gjithë qytetarët. Ndërkohë për vitin 2018, Maqedonia akordoi afërsisht 70 milionë euro, të konvertuara në lek kjo shifër shkon rreth 8.5 miliardë lekë.

Në buxhetin e përgjithshëm të Republikës së Maqedonisë për vitin 2018, buxheti i Ministrisë së Kulturës mori rreth 2% të totalit, që është buxheti më i madh kulturor në krahasim me vendet e rajonit.

Edhe Kosova ka një buxhet më të lartë se Shqipëria. Përkatësisht Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve ka pasur në vitin 2018 një buxhet prej 34 milionë euro, ose rreth 4.2 miliardë lekë. Ndërsa për vitin 2019 ky buxhet do të jetë 41.4 mln euro, i konvertuar në lekë, kap vlerën prej 5 mld lekësh, gati 2.5 hërë më i madh se buxheti për Kulturën në Shqipëri.

Nga ana tjetër, sipas të dhënave të Eurostat në vitin 2016 vendet e BE-së shpenzuan mesatarisht 1 për qind të PBB për argëtimin dhe kulturën, ndërsa sipas të dhënave kombëtare të INSTAT, Shqipëria shpenzoi vetëm 0.4% të PBB-së për sektorin në fjalë. Në vitin 2016, shtetet anëtare me shpenzimet më të larta në të argëtimit dhe kulturës në raport me PBB-në ishin Hungaria (3.3%), Estonia (2.1%), Kroacia dhe Danimarka (1.8%). Në krahun tjetër Shqipëria me 0.4%, Mbretëria e Bashkuar (0.5%), Mbretëria e Bashkuar (0.6%), pasuar nga Greqia, Italia dhe Portugalia (të gjitha 0.8%), ishin vendet me shpenzimet më të ulta në këtë zë.

Janë pikërisht këto shifra dhe krahasime të cilat tregojnë se vendi ynë, në raport me vendet e tjera, shpenzon dhe i kushton shumë pak vëmendje kulturës. Kjo gjë është ngritur si një shqetësim edhe nga njerëz të kulturës dhe artit të cilat janë shprehur se pothuajse në tre dekada, buxheti për kulturën u reduktua derisa arriti një nivel më i ulët se ai i Kosovës e Maqedonisë. Ajo çka është më paradoksale është fakti se në periudhën e tranzicionit në Maqedoni janë ngritur dy teatro shqiptare (në Tetovë e Kumanovë), ndërsa në Shqipëri janë mbyllur dy teatro shqiptare (në Berat e Peshkopi).

Leave A Reply

Your email address will not be published.