The news is by your side.

Brexit, zero shanse për marrëveshje deri në fund të tetorit

Franca duket se i ka dhënë Mbretërisë së Bashkuar kohë deri në fund të javës, për të diskutuar dhe për të dalë me një plan të realizueshëm Brexit, por analistët thonë se ka shumë pak gjasa të arrihet një marrëveshje e tillë në një afat kaq të shkurtër.

Presidenti Francez Emmanuel Macron raportohet t’i ketë thënë Kryeministrit të Mbretërisë së Bashkuar Boris Johnson të dielën se negociatat për Brexit duhet të vazhdojnë me shpejtësi, në mënyrë që Brukseli të vlerësojë deri në fund të javës nëse është e mundur një marrëveshje që respekton parimet e Bashkimit Evropian. Ky lajm u raportua nga një zyrtar i Pallatit Elysee i cili përsëriti atë që Macron i kishte thënë Johnson në telefonatën e së dielës.

Komentet vijnë në një kohë kur qeveria po shqyrton një sërë propozimesh rreth çështjes irlandeze, e cila është parë si pengesë për një marrëveshje Brexit. Propozimet e reja e shohin Irlandën Veriore, pjesë e Mbretërisë së Bahkuar, ende anëtare në tregun e përbashkët evropian të mallrave, por të larguar nga bashkimi doganor.

Autoritetet kanë theksuar se kontrollet doganore mbi mallrat që hyjnë nga Irlanda Veriore në Republikën e Irlandës do të intensifikohen, por pa qënë e nevojshme ndonjë infrastrukturë kufitare fizike. Megjithatë plani mori një përgjigje të vakët në Bruksel. BE është veçanërisht e shqetësuar për mënyrën se si dhe nëse angazhimet doganore (siç janë kontrollet e mallrave), mund dhe do të funksionojnë në praktikë.

Kështu, kur ende palët po diskutojnë rreth një zgjidhjeje të mundshme, sa shanse ka për një marrëveshje Brexit?

Koha po kalon me shpejtësi dhe do të duhet që një marrëveshje Brexit të dakordësohet përpara datës zyrtare, 31 tetorit. Pa një ujdi me Parlamentin, Johnson është i detyruar me ligj të kërkojë nga BE një shtyrje në datën e paracaktuar, por kjo nuk duket fare në planet dhe as mendimet më të përcipta të kryeministrit Johnson, i cili i ka mëshuar gjithmonë faktit se Brexit do të ndodhë brenda 31 tetorit, me çdo kusht të mundshëm.

Nga ana tjetër, nuk ka asnjë garanci se BE do të pajtohej me një shtyrje tjetër. Në veçanti Franca nuk është e interesuar. BE gjithashtu raportohet se është e prirur të shmangë diskutimet e minutës së fundit në Samitin e BE-së më 17 tetor. Si e tillë, e Premtja e 11 tetorit shihet si një pikë zyrtare e bisedimeve. Por ekspertët thonë se shanset për një marrëveshje deri në fund të javës janë thuajse zero.

Ndërsa Johnson ka qenë kaq këmbëngulës se vendi do të linte BE-në më 31 tetor pavarësisht çdo skenari, Eurasia Group beson se udhëheqësi britanik po e bën të gjithën këtë si një strategji të mirëmenduar.  “Ne mendojmë se Johnson do të ndjekë një strategji që disa e përshkruajnë si ‘zvarritu dhe bërtit’. Kur ai, pavarësisht ngutjes së pretenduar, premton gjetjen e një zgjidhjeje ‘pa vonesë’, ai thjesht po zgjat dhe zvarrit procesin, për t’i bërë votuesit të kuptojnë se po përpiqet shumë dhe po i bën të gjitha kundër vullnetit të tij. Kjo është arsyeja pse Johnson ende premton shumë, edhe pse e di se perspektivat e një marrëveshje janë të largëta.” thuhet në deklaratë.

Me sa duket, tanimë e vetmja pyetje e vështirë për liderët e BE do të jetë kohëzgjatja e procesit, tetor, dhjetor apo ndoshta edhe janar.

/ Burimi: CNBC

Gliqeri Riza

Leave A Reply

Your email address will not be published.