The news is by your side.

Bie kërkesa për naftë si shkak i luftës tregtare

Çmimet e naftës kanë shënuar sot një tjetër ulje si shkak i shqetësimeve të vazhdueshme të një rënieje ekonomike dhe luftës tregtare SHBA- Kinë, që kanë sjellë një rënie në kërkesën e përgjithshmë për naftë. Nafta bruto e Brent ra në vlerën e 58.35 dollarë për fuçi, 0.3 % më poshtë se vlerësimi i herës së kaluar, ndërsa West Texas Intermediate (WTI) e tregtuan  në vlerën e 54.29 dollarë për fuçi, ose 0.4 % më pak nga hera e kaluar.

Të dy indekset pësuan rënie javën e kaluar, me Brent që humbi më shumë se 5 % dhe WTI që ra me rreth  2 %. “Çmimet e naftës po bien për shkak të parashikimeve për një kërkesë të ulët nga java e kaluar dhe pesimizmit për një marrëveshje SHBA-Kinë,” tha Alfonso Esparza, analist tregjesh në OANDA, Toronto.

Mosmarrëveshjet SHBA-Kinë shkundën tregjet globale javën e kaluar, teksa një lëvizje surprizë në aksionet e naftës bruto  në SHBA shtoi presionin për uljen e çmimeve të naftës, të cilët kanë humbur më shumë se 20 % nga kulmi i arritur në Prill 2019.

Goldman Sachs tha të dielën se po rriten shqetësimet se lufta tregtare do të çojë drejt recesionit ndaj me ngulm pritet një marrëveshje mes dy vendeve përpara zgjedhjeve presidenciale të 2020 në SHBA.

Shenjat në rritje rreth një recesioni dhe përshkallëzimi i luftës tregtare kanë bërë që kërkesa globale për naftë të rritet në ritmet më të ulëta që nga kriza financiare e 2008-ës, tha Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë. Agjencia  me bazë në Paris e uli parashikimin për rritjen e kërkesës globale për naftë për vitet 2019 dhe 2020  respektivisht në 1.1 dhe 1.3 milionë fuçi nafte në ditë.

Nga ana tjetër, prodhimi i naftës në Rusi lulëzoi në 11.32 milion fuçi nafte në ditë në javën e parë të Gushtit krahësuar me mesataren mujore të Korrikut prej 11.15 milionë fuçish, sipas burimeve pranë qeveritare për industrinë.

Në muajin Korrik, Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEC) dhe aleatët e saj, përfshirë Rusinë, ranë dakort që të rrisin shkurtimet në furnizim deri në Marsin e 2020-ës me qëllim nxitjen e rritjes së çmimit të naftës. Gjithashtu, edhe prodhimi më i ulët në Shtetet e Bashkuara, tregues javor për naftën, pësoi një rënie për javën e gjashtë radhazi teksa prodhuesit kanë ulur shpenzimet për shpime të reja.

/Burimi: Euronews

Leave A Reply

Your email address will not be published.