The news is by your side.

Bie inflacioni, niveli më i ulët në 3 vjet, shkak edhe rritja e ngadaltë ekonomike

Sipas Institutit të Statistikave inflacioni pësoi një rënie të fortë dhe të papritur në muajin mars. Norma vjetore e inflacionit zbriti në 1.1%, nga 1.7% që kishte qenë për muajin shkurt. Ky është niveli më i ulët mujor i inflacioni i regjistruar që në mesin e vitit 2016. Rënia e inflacionit i detyrohet sidomos grupit të ushqimeve. Inflacioni i këtij grupi ra në 2% për marsin, nga 3.8% që kishte qenë për muajin shkurt.

Më në detaj, ato që ndikuan më shumë në zbutjen e inflacionit ishin çmimet e nëngrupit “fruta”, që u ulën me 7,8 %, pasuar nga nëngrupet “vajra dhe yndyrna” me 0,7 %, “bukë dhe drithëra” me 0,6 %. Grupet e tjera regjistruan luhatje të vogla dhe ndikimi i tyre në ndryshimin e inflacionit për shkurtin ishte modest.

Shifrat e muajit mars tregojnë se rritja graduale e inflacionit drejt objektivit prej 3% mund të ngadalësohet. Në fakt, Banka e Shqipërisë kishte parashikuar që mbiçmimit i lekut do të vazhdonte të jepte efekte në uljen e çmimeve edhe në gjysmën e parë të këtij viti. Por, rënia e inflacionit në mars duket se shkon përtej pritshmërive të lidhura me efektin e kursit të këmbimit.

Në vendimmarrjen e fundit të politikës monetare, në muajin mars, Banka e Shqipërisë nënvizonte se po shtohen rreziqet për një rritje më të ngadaltë ekonomike, të shoqëruar edhe me një inflacion më të ulët. Kjo lidhet si me zhvillimet në ekonominë e eurozonës, ashtu edhe me faktorë të brendshëm, përfshi këtu krizën politike.

Leave A Reply

Your email address will not be published.