The news is by your side.

Betoni dhe babëzia që vazhdojnë gërryejnë Durrësin

Të martën e kaluar vendi u trondit nga lëkundjet e tërmetit 6.3 ballë me epiqendër në Durrës, pasojat e të cilit rezultuan fatale. Përveç bilancit të frikshëm të viktimave, ku 51 persona humbën jetën, aktualisht mijëra familje kanë humbur banesat duke mbetur të pastreha. Lëkundjet rezultuan shkatërrimtare dhe qindra shtëpi dhe pallate u shembën duke bllokuar njerëzit nën rrënoja.

Nga ana tjetër po kaq i lartë është edhe numri i godinave të dëmtuara rëndë, të cilave iu është vendosur shiriti i sigurisë duke u cilësuar si të pabanueshme. Durrësi si epiqendër ka qënë padyshim zona më e prekur dhe me dëmtimet më të mëdha materiale. Aktualisht qarku i tretë më i madh në vend, sipas INSTAT në Durrës jeton rreth 10.1% e popullsisë së përgjithshme të Shqipërisë.

Megjithatë Durrësi është aktualisht qyteti më i betonizuar i vendit. Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, për 2018-ën numri i lejeve të ndërtimit në Durrës u rrit me 47% ndërsa sipërfaqet në dispozicion të ndërtimeve të reja u rritën me 70%, krahësuar me një vit më parë.

Kështu INSTAT bën me dije se gjatë 2018-ës në Durrës u dhanë 10 leje për rezidenca për komunitetin, 290 leje për ndërtesa njëkatëshe, 338 për ndërtesa me dy kate dhe 132 leje për godina të tjera me më shumë se sa 3 kate. Si rrjedhim, vetëm në një vit, autoritetet përgjegjëse hapën rrugën për betonizimin e mëtejshëm të qytetit me 770 ndërtime të tjera.

Burimi: INSTAT
Përpunuar nga Atlasi.al

Parë nga një këndvështrim socio- ekonomik, një nivel i tillë betonizimi ka padyshim pasoja serioze në shoqëri. Ato qartazi dolën në dritë pas ditëve të fundit, fatkeqësisht në mënyrën më të keqe të mundshme duke marrë jetë njerëzish. Ky tërmet ishte shuplaka e qartë që në mënyrë të hidhur po tregon se babëzia e disave mund të kthehet në tragjedi të përgjithshme, sidomos për një popull me kujtesë afatshkurtër si Shqipëria.

Leave A Reply

Your email address will not be published.