The news is by your side.

Bankat tregohen dorëlëshuara- miratohen plot 87% e aplikimeve për kredi në vend

Banka e Shqipërisë ka nisur së fundi një vrojtim mbi bankat e nivelit të dytë, me qëllim krijimin e një ideje të saktë rreth ecurisë së kërkesës dhe ofertës për kredi. Kështu, çdo 6 mujor bankat i raportojnë institucionit qëndror informacionin rreth aplikimeve të marra për kreditë dhe numrin respektiv sa janë pranuar, refuzuar apo janë në process shqyrtimi. Kështu, bazuar tek këto të dhëna, treguesi i përllogaritur paraqet në thelb kërkesën e tregut për kredi bankare.

Nisur nga rezultatet e vrojtimit vihet re se, për gjysmën e dytë të vitit ë kaluar, sistemi bankar shqiptar miratoi 87% të aplikimeve për kredi, 11% e tyre u refuzuan dhe 2% vazhdonin ende në process shqyrtimi. Sipas shifrave rezulton se bankat kanë hequr dorë nga politikat shtrënguese dhe i përgjigjen kërkesave për marrjen e kredive në nivele më të larta se sa perceptimi popullor i viteve të fundit.

Përveç kësaj, një tjetër tregues që llogaritet nga institucioni bazuar në të dhënat e përftuara është edhe norma e refuzimit të kredive, si një tregues i disponueshmërisë së sektorit bankat për t’iu përgjigjur kërkesës së tregur për kredi. Kjo normë është llogaritur si raport i numrit të aplikimeve për kredi të refuzuara nga banka, ndaj numrit total të aplikimeve të marra në shqyrtim, gjatë një periudhe përkatëse. Megjithatë krahësuar me vitin e kaluar, norma ka pësuar një rritje të lehtë.

Pavarësisht se numri i kredive të aprovuara është rritur, vihet se tregu përballet me luhatje të shumta, qofshin ato të lidhura me bankat, apo me profilet e klientëve. Kështu për çdo kategori klientësh për shembull, norma e refuzimit të kredive nga bankat e huaja është shumë më e lartë se sa rezultantja e bankave vendase. Madje, sipas të dhënave përllogaritet se në 2018, bankat shqiptare refuzuan vetëm 7.4% të aplikimeve për kredi, krahësuar me bankat e huaja ku përqindja rezultoi në 14.1%.

Përveç kësaj, tepër ndikuese është edhe përmasa e bankës ku aplikohet për kredi, pasi bankat e vogla, me më pak se 2% pjesë tregu priren të jenë më të shtrënguara në dhënien e kredive. Ato kanë një shkallë shumë të lartë të refuzimit të aplikimeve, që vitin e kaluar u regjistrua në 41.5%.Nga ana tjetër, për bankat e mëdha të sistemit, të cilat zotërojnë një pjesë tregu më të madhe se 7%, norma e refuzimit ishte shumë më e ulët, me vetëm 8.7%.

Vrojtimi gjithashtu jep një ide edhe rreth ecurisë së kërkesës së ekonomisë për kredi bankare. Viti 2018 periudhë kur sektori bankar morri rreth 100 mijë aplikime për kredi, rezulton me një rënie 2.2% krahasuar me vitin e mëparshëm. Megjithatë pavarësisht se aplikimet e individëve shënuan rritje, kërkesa e bizneseve për kredi bankare u tkurr me 13%. Madje po  të njëjtin trend negative pësoi edhe shkalla e refuzimit të kredive të kërkuara nga firmat e ndërmarrjet. Në rastin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme norma e refuzimit ishte 8.3%, ndërsa për ndërmarrjet e mëdha ajo rritej në 16.1%.

Leave A Reply

Your email address will not be published.