The news is by your side.

Atlasi sjell për lexuesit ciklin “Të mëdhenjtë e mendimit liberal!”

Përkufizimi i Liberalizmit ka qenë për një kohë të gjatë burim debatesh të shumta. Përgjatë shekujve, mendimi liberal dhe idetë e tij kanë evoluar shumë dhe do të vazhdojnë të bëjnë të njëtën gjë me kohën që kalon. Në thelb, liberalizmi është pikërisht kjo, aftësia për t’u përshtatur dhe për të përqafuar një sërë besimesh; është një forcë e madhe! Por kjo vetëm sepse bashkë-ekziston me një përbërës të dytë kritik: këmbëngulja për debat të hapur dhe vetë-ekzaminimi. Është pikërisht ky tipar, i cili mundëson që idetë e këqija të zhduken dhe të mirat të kultivohen.

E iniciuar si një nismë e The Economist, Open Future kishte si qëllim nxitjen e debatit rreth vlerave liberale dhe ndërtimin e një bibliografie të liberalizmit në shumëformësinë e tij. Lexues nga mbarë bota kanë sugjeruar në projekt nëpërmjet e-mailit, Facebook, Twitter, Linkedin, apo çdo mediumi tjetër emrat më të famshëm të mendimit liberal, që nga filozofët e politikanët deri tek opinionistët dhe poetët.

Qëllimi nuk ishte thjesht të krijohej një listë emrash të njohur, por të prezantoheshin format e larmishme që liberalizmi ka marrë ndër shekuj dhe kjo arrihet vetëm nga njohja e gjigandëve liberalë, shpeshherë edhe të nënvlerësuar.

Kështu për shembull, duke diskutuar për Ayn Rand, William Beveridge dhe Immanuel Kant, me gjasë mendojmë se çfarë kanë të përbashkët këta shkrimtarë kaq divergjentë? Me fjalë të tjera, çfarë i bën ata liberalë? E pikërisht këtu disa pika dalin lehtësisht në pah: angazhim ndaj të drejtave individuale, shmangia nga status quo-ja dhe besimi tek progresi.

Kështu, në kuadër të nismës së “The Economist”, në vijim ATLASI do të sjellë ciklin “Të mëdhenjtë e mendimit liberal”, përgjatë së cilit lexuesit do të kenë mundësi të njihen jo vetëm me figurat kryesore të Liberalizmit përgjatë shekujve, por edhe me kontributet përkatëse të tyre dhe veprat për të cilat ata janë dalluar. E gjitha vjen si rekomandim librash dhe veprash historike që kanë ndryshuar dhe formësuar mendimin liberal, të cilat gjithësecili mund t’i lexojë gjatë këtyre ditëve të verës.

Qëndroni me ne!

Leave A Reply

Your email address will not be published.