The news is by your side.

Arben Malaj nuk duhej emëruar. Tashmë nuk duhet shkarkuar!

Nga Besart Kadia

Pyetja kryesore është nëse Arben Malaj ish-ministër i Partisë Socialiste, deputet i Partisë Socialiste dhe kundërshtar i hapur i Kryeministrit Edi Rama, duhej të ishte emëruar anëtar i Këshillit Mbikqyrës i Bankës së Shqipërisë?… Unë mendoj se jo! Pasi ky pozicion u përdor nga Partia Socialiste vetëm si një instrument për të qetësuar politiksht Arben Malaj e jo si një balancë për politikat “ekspansioniste” përkundrejt atyre “konservatore”  në përbërjen e Këshillit Mbikqyrës. Gabimi pra thelbësor me politikat ekonomike është përdorja e “qokave” politike në kurriz të institucioneve të pavarura ekonomike si Banka e Shqipërisë.

Guvernatori i Bankës së Anglisë, Mervyn King, shprehej gjatë kohës që ishte në detyrë se: “Nëse ne dukemi të mërzitshëm atëherë jemi duke e bërë punën mirë si Bankë Qëndrore”. Banka e Shqipërisë, në tërsinë e institucioneve ekonomike, në Shqipëri, ka kryer mirë detyrat e saj sic dhe shprehet së fundmi raporti i monitoritimi të FMN-së. Pavarësia e Bankës së Shqipërisë nuk është vendosur në pikëpyetje asnjëherë dhe nuk ka qënë diskutim publik që prej kohës kur u arrestua dhe zëvendësua guvernatori Fullani. Zoti Malaj, në kohën kur u njoftua publiku për vjedhjen në Bankën e Shqipërisë kërkoi “menjëherë investigim nga parlamenti për të nxjerrë përgjegjësit.” Me këtë qëndrim, zoti Malaj tregoi se ishte i gatshëm t’i jepte më shumë pushtet paralementit që të ndërhynte në një çështje të brendëshme të Bankës së Shqipërisë. Por ky mbetet një debat profesional dhe çështje vizionesh shtetformimi. Dhe për këtë arsye. megjithëse ligjërisht ai mundet të shkarkohet nga parlamenti unë mendoj se Z. Malaj duhet shkarkuar si rezultat i kërkesës së vetë Këshillit Mbikqyrës për thyerje që ai mundet të ketë bërë në funksionin e tij si anëtar i këshillit.

Publiku duhet të kuptojë se “Këshilli Mbikëqyrës është organi më i lartë vendimmarrës dhe mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë. Ai është përgjegjës për hartimin e politikës monetare dhe për miratimin e udhëzimeve për zbatimin e saj”. Kështu shkruhet në rregulloren e Bankës së Shqipërisë për rolin që ka Këshilli Mbikqyrës i cili është i përbërë nga nëntë anëtarë të cilët janë “të urtët” e ekonomisë sonë, pasi ata duhet të marrin vendime të rëndësishme mbi normën bazë të interesit dhe mbikqyrjen e sistemit  financiar në vend. Ekonomia ka dy timonierë të politikave publike: ministrinë e financave dhe bankën qëndrore. Të dyja këto duhet të jenë në harmoni me njëra tjetrën por po ashtu të pavarura dhe në nga njëra tjetra për të kryer në mënyrë sa më të mirë detyrën e tyre. Banka e Shqipërisë nuk ka të njëjtën qasje për mbarvajtjen e ekonomisë me Ministrinë e Financave. Është kjo “konkurrencë” mes të dyjave që bën një sistem makroekonomik të qëndrueshëm. Kur këto përgjegjësi mbeten në dorë të njërës palë ekonomia përfundon me probleme të tilla si inflacioni dhe kriza financiare…

Pavarsia e Bankës Qëndrore si praktikë ligjore erdhi vetëm në fillim të viteve 1990anembanë botës pasi politikanët keqpërdorën Bankën Qëndrore për një kohë të gjatë me norma të ulta interesi për të nxitur ekonominë për të rritur punësimin kryesisht në kohë zgjedhjesh. Literatura akademike sugjeroi se inflacioni do të luftohej vetëm nëse banka qëndore kishte një mision të qartë : inflacionin; dhe nëse trupa drejtuese e saj do të ishte ligjërisht e pavarur nga qeveria por llogaridhënse në parlament. Ky ishte një ndryshim në pamje të parë i lehtë institucional por që solli më pas ndryshime radikale në menaxhimin e ekonomisë. Sot inflacioni nuk është më problem për ato banka që janë të pavarura dhe bankat qëndrore janë të “parashikueshme në sjelljen e tyre aq sa duken të mërzitëshme”. Ato kanë objektiva të paracaktuara dhe kanë një staf profesional që i përgjigjet për të mbikqyrur e për të dhënë zgjidhje një bote financiare gjithnjë e më komplekse dhe të paparashikueshme.

Rasti “Malaj” nuk është rasti i një debati idesh, por simbol sesi politika e qokave sjell paqe të përkoshme e probleme afatgjata institucionale.  Rasti “Malaj” tregon dhe njëherë se politka e përdori për qokë të saj këtë pozicion dhe po ashtu për shkak të prishjes së kësaj marrveshjeje vendos ta shkarkojë atë.  E këtu preket pavarsia e Bankës së Shqipërisë. Rasti “Malaj” është një keqinterpretim i rolit që kanë apo duhet të kenë anëtarët e Këshillit Mbikqyrës së Bankës së Shqipërisë. Ata duhet të jenë “të mërzitshëm” dhe duhet të komunikojnë në publik me shumë kujdes vetëm për cështje që lidhen direkt me funksionin e tyre publik si përfaqësues të Bankës së Shqipërisë. Banka bën politika por nuk është politike! Ndërkohë Zoti Malaj me vetë angazhimet e tij publike si ish ministër e ish deputet i Partisë Socialiste i ka dhënë debatit publik këto muaj më shumë diskutime politike sesa qëndrime mbi politika ekonomike.

Ky është një debat për të ardhmen dhe rasti “Malaj” do të mbahet mend gjatë sesi një gabim i parë mundohet të rregullohet me një veprim tjetër po gabim. Me sa duket, pozicioni i mërzitshëm i anëtarit të këshillit mbikqyrës së B.Sh i ri ngushtë zoti Malaj e cdo politikani tjetër që merr pozicione publike, që lipsen të jenë të paanshëm.

Qeveria, me të drejtë, ndjen shqetësim që nga dritarja e një institucioni të pavarur të goditet politikisht. Kjo nuk qëndron! Por do të ishte e udhës që shkarkimi prej parlamentit të vi pasi të jetë shprehur Banka e Shqipërisë si palë direkte e interesuar për një Këshill Mbikqyrës profesional e jo politikë.  Banka e Shqipërisë duhet të mbajë një qëndrim publik me këtë cështje dhe të shpjegojë nëse anëtari i këshillit mbikryeqës ka tejkaluar funksionin e tij dhe dëmtuar Bankën me angazhimet e tij politike.  Kjo ndihmon institucionin të ruaj pavarsinë e tij në sytë e publikut. Ky është një precedent i vetëkrijuar nga qeveria dhe me pasoja për pavarësinë e institucioneve në Shqipëri.

Leave A Reply

Your email address will not be published.