The news is by your side.

Arba Kokalari, një shuplakë e fortë për sistemin nepotik të partive shqiptare

Nga Roland Bejko

Arba Kokalari është zgjedhur deputete e Parlamentit Evropian duke përfaqësuar Suedinë, këtë shtet të bekuar të mundësive për të gjithë.
Dhe Arba ja doli, vet, vetëm, me zotësi, talent, këmbëngulje, besim dhe profesionalizëm duke bërë një karrierë normale që e ka nisur si e zgjedhur në këshillin lokal të lagjes vet.
Bravo Arba, urime dhe suksese!
Shembulli i saj normalisht frymëzon Arbat dhe Arbët e tjerë arbërorë që kanë ambicie, aftësi dhe cilësi si të saj dhe që duan ti vënë në shërbim të zhvillimit ekonomik dhe të demokracisë shqiptare. Njoh shumë prej tyre që e kanë lënë Suedinë, Italinë, Anglinë, Francën, USA-n etj dhe janë kthyer me besim këtu me diploma prestigjoze në valixhe, dhe me valixhen plot me ëndra, besim, entuziastë dhe euforikë se vendi i tyre do ti priste krahëhapur për t’u dhënë një mundësi. Mundësinë për të zhilluar një karrierë normale me bazë meritën. Por nuk ja kanë dalë dot.
Nuk ja kanë dalë, sepse i kanë penguar. I kanë penguar sepse Shqipëria nuk është vend i mundësive dhe i meritokracisë.
Në Shqipëri sistemi është i mbyllur. Meritokracia, (me shumë.pak përjashtime) është shfaqje e huaj. Jetojmë akoma në një parashoqëri, pothuajse tribale, ku sundon nepotizmi, klientelizmi, informaliteti dhe partitokratizmi klanor.
Shqipërinë e sundon akoma klasa që u shpall “fituese” pas luftës së II Botërore. Prej asaj kohe dhe sot lëviz dhe ciklohet në një spirale të mbyllur. Pushteti është në dorë të së njëjtave klane të së majtës e cila interferon dhunshëm në çdo skaj të shoqërisë, edhe djathtas po të doni.
Si majtas dhe djathtas është gati e pamundur ta kapësh elitën me meritë nëse nuk je pjesë e klanit vendimarrës.
Pra në Shqipëri nuk ka vend për Arbat/ët idealistë sepse sistemi është ndarë në “elitën” e vogël klanore, dhe në “shërbëtorët e elitës”. Dhe nëse guxon të pretendosh që “nga shërbëtor i elitës”të futesh në “elitën” vendimarrëse pa qenë “i familjes klanore” , të flakin dhe të marrin për të çmendur. Madje të shikojnë me habi sikur duan të të thonë “si guxon” ta kapërcesh kufinë. (?!)
Prandaj dhe Arbat e kthyera nga jashtë, apo dhe ato/ata që janë formuar për së mbari në Shqipëri, valixhen e ëndrave e mbushin plot me zhgënjim duke marë më tej aratinë për kush e di se ku përgjithmonë.
Nuk e di nëse Arba do të kishte mundur të ishte bërë ndonjëherë deputete në Shqipëri, por përvoja ime 29 vjeçare në politikë më thotë se do ishte e vështirë për mos thënë të pamundur. Sepse këtu që të bëhesh duhet të jesh vajza e Gegpriftit, Ballukut, djali i Kristaqit, i Bushatit, nipi i Kolekës etj ishësh të nomeklaturës së lartë komuniste. Ose duhet të jesh trafikant, koncesionar, etj. Bukur e kish shkruar dikush në rrjetet sociale. Nipi i Enver Hoxhës, trafikant droge, mbesa e Musinesë eurodeputete.
Por kjo “çudi” ndidhi pikërisht se Arba u bë në Suedi dhe jo në këtë xhunglën tonë.
Sepse këtu Arbat/ët ose duhet ti shërbejnë “elitës” kokëulur e gojëmbyllur, ose duhet ta braktisin Shqipërinë.
Pra e thënë troç, Arba u bë eurodeputete sepse ishte në Suedi, në një vend të huaj.Në një vend mundësish dhe shancesh të barabarta ku fiton më i zoti, më i afti, më punëtori, më profesionisti. Po të ishte në Shqipëri, edhe ajo do kishte fatin e të ngjashmëve të saj, dash për shkak të origjinës familjare, dash për shkak të përkatësisë klanore.
Shembulli i shkëlqimit të Arbës në Suedi, na konfirmoi edhe një herë se shqiptarët e mirë dhe të ditur janë bekim për vendet e huaja, si rasti i Rilindasve tanë. Edhe ata shkëlqyen jashtë Shqipërisë. Shprehja që “s’bëhesh dot profet në vendin e vet” këtu tek ne mer vlerë. Të gjithë u ndienë krenarë për suksesin e saj sepse u promovua larg tyre, se po të ishte këtu, të parët do ta mbysnin ata që e uruan “me entuziazëm e krenari”.
Shumë mirë që edhe elita politike dhe shtetërore e uroi Arbën për fitoren. Shumë mirë që u ndienë krenarë. Po përgjegjësi dhe vrasje ndërgjegjeje për promovimin që i kanë bërë këtu kësaj “elite” mediokre, injorante, të paaftë, të korruptuar dhe shpesh kriminale a ndjeu kush?
A do ta vrasë ndonjërin ndërgjegjia për instalimin e këtij sistemi të mbyllur klanor në të gjitha nivelet e shtetit shqiptar?!
Ja pra, rasti i vajzës me origjinë nga Gjirokastra Arba Kokalarit, më shumë se për tu mburur pa meritë, është një moment reflektimi për ta shkallmuar sistemin e mbyllur nepotik e tribal që na sundon për dekada të tëra në favor të një sitemi të hapur me bazë meritën, aftësinë, profesionalizmin dhe patriotizmin modern. Është momenti për të nxitur qarkullimin e elitave në Shqipëri në vend që të riciklojmë akademikisht të mbetur e regjimit të vjetur.
Rasti Arba, është këmbana që bie si sfidë veçanërisht për liderin e opozitës Lulzim Basha për tu ndarë njëherë e mirë nga ky sistem i mbyllur që është vrasës i mundësive. Kryetari i opozitës ka rastin më të mirë që pasi e shpëtoi Shqipërinë nga duart e krimit me dekriminalizimin e tij, t’u prezantojë shqiptarëve ofertën e një sistemi të hapur nesër në pushtet, të pastruar nga dallkaukët, injorantët dhe lëpirësit e paaftë në favor të elitës së iluminuar. Me këtë rast Z. Basha i jep fund jo thjesht një sistemi të mbyllur, por vet tranzicionit 30 vjeçar.
Pra nëse duam ta ndihmojmë Arbën në përpjekjet e saj edhe si përfaqësuese e interesave të Shqipërisë drejt integrimit evropian, duhet ta fillojmë nga ndryshimi rënjësor i sistemit të vjetër, mbytës dhe të koruptuar që vret meritën dhe aftësinë.

Leave A Reply

Your email address will not be published.