The news is by your side.

Albin Kurti politikani i suksesshëm anakronik për të cilin Shqipëria s’ka nevojë

Supozoni se merrni një biletë dhuratë për të vizituar Ishujt Samoa (shtet i pavarur që nga viti 1997) dhe shihni me sytë tuaj se ky shtet i ri është i varfër, shumë më i varfër se shtetet fqinje të Zelandës së Re dhe të Australisë. A do të filloni të mendoni se si ky shtet mund të bëhet më i pasur apo si ky shtet të bëhet më i barabartë? A ka kuptim barazia në varfëri? Apo do ishit dakord të kishte pabarazi nëse arrihet pasurim i gjithë shtetit?

Tani supozoni se shkoni në fundjavë në Kosovë (shtet i lirë që nga viti 1999) dhe vini re se qytetarët aty janë edhe më të varfër se në ishujt Samoa dhe po ashtu edhe më të varfër se gjithë shtetet e tjera fqinje. A do të fillonit të mendoni se si Kosova të mund të jetë më e barabartë apo se si Kosova të bëhet më e pasur?

Këto nuk janë pyetje teorike. Shtrimi i këtyre pyetjeve dhe anën që ne mbajmë në përgjigjet ndaj tyre ndan thelbësisht kombet dhe fatet e tyre.  Albin Kurti dhe gjithë lëvizja Vetvendosje mban një qëndrim të qartë si progresist e forcë social-ekonomike në Kosovë. Në manifestin e tyre thuhet shprehimisht se: “Barazia në rezultate, në funksion të rritjes së mirëqenies dhe barazisë së gjithëmbarshme, nënkupton që ata që fitojnë më shumë dhe që jetojnë në kushte më të mira, ta bartin një përgjegjësi më të madhe karshi të mirës së përgjithshme.” Po ashtu dhe më shqetësuese është interpretimi i tyre idologjik se cfarë do të thotë që një person ka arritur të pasurohet. Sipas tyre “mundësia më e madhe për të krijuar të ardhura vijnë nga pasuria e përgjithshme e cila është krijuar, akumuluar, mirëmbajtur dhe funksionalizuar nga një punë e bashkuar shoqërore”.

Pra sipas Vetvendosjes ata që janë të pasur në Kosovë duhet t’iu merret një pjesë e pasurisë së tyre në formë prone apo parash për të mbështetur të varfërit dhe nga ana tjetër po ashtu ata thonë se pasuria që ata kanë vendosur nuk vjen si rezultat i aftësisë së tyre por si rezultat i “një pune të bashkuar shoqërore.”   Më tej ata thonë se kjo barazi çon në rritje të kërkesës agregate dhe për rrjedhojë në mirëqënie më të lartë.

Idetë e Kurtit dhe Vetvendosjes për ekonominë janë shqetësuese dhe për më tepër varfëruese. Idetë e tij për barazi sociale e barazi rezultatesh duhet të shqetësojë politikanët shqiptarë dhe sidomos partitë e djathta shqiptare.  Idetë e theksuara marksiste dhe të shërbimeve falas po shërbejnë vetëm për të kapur pushtet, por jo për të bërë shtet. E nëse bëjnë dot shtet e bëjnë atë më të varfër.

Vetvendosja bërtet: ne jemi kundër privatizimit dhe do të rishohim të gjithë procesin e privatizimit në Kosovë. Sipas tyre idetë neoliberale kanë shkatërruar ekonominë e Kosovës dhe të industrisë së prodhimit. Zhbërja e privatizimeve të aseteve kombëtare gjen gjithnjë e më shumë mbështetje politike, por që do t’i bëjë po këta të varfër edhe më të varfër në të ardhmen. Albin Kurti, Vetvendosje dhe vëllezërit e tyre ideologjik në Tiranë po sjellin një frymë anakronike.

Shqipëria e Kosova të dhënat ekonomike që nga 1870

Kushdo që do të lexonte manifestin ekonomik të Vetvendosjes do të fillonte të shqetësohej sesi Albin Kurti dhe Vetvendosje kanë patur kaq shumë jehonë në Shqipëri edhe nga media të djathta e politikanë të djathtë. Albin Kurti është politikan dhe idetë e tij janë të dëmshme për zhvillimin e vendit, edhe më të dëmshme se ide të mira të aplikuara keq nga qevertiar të korruptuar (si në Kosovë e në Shqipëri.)

Kosova ka patur PBB për frymë gjatë periudhës së Jugosllavisë thuajse gjashtë herë më të ulët sesa shteti tjetër më i pasur, Sllovenia. Shqipëria nga ana tjetër doli nga “perdja e hekurt” si ndër shtetet më të varfëra të botës. Edhe gjatë perandorisë Osmane trevat shqiptare nuk patën asnjë zhvillim të theksuar kulturor, industrial apo ekonomik. E njëjta gjë mund të thuhet dhe për Kosovën.  Edhe nëse e ndajmë historinë e pasurimit të Shqipërisë në tre etapa historike do të shohim që historikisht kemi qënë të varfër. Dhe pyetja që duhet të bëjmë në trojet shqiptare nuk është përse kemi njerëz të varfër, sepse të tillë kemi qënë gjithnjë, por përse dhe si kemi mundur të pasurohemi.

Le të marrim periudhën e  parë, në vitin 1870 sipas të dhënave të besueshme të marra nga Projekti Maddison dhe të cituara nga thuajse të gjitha universitetet serioze në botë, të ardhurat për frymë të qytetarëve shqiptar ishin 658 dollarë amerikan. Pra nëse një shqiptar i sotshëm do takohej me një shqiptar të vitit 1870 ky i fundit do të kishte në vit 658 dollarë ose 54 dollarë në muaj. E thënë shqip të gjithë shqiptarët jetonin në varfëri ekstreme!

Periudha e dytë është zhvillimi ekonomik i vendit gjatë komunizmit e cila e filloi regjimin e saj me të ardhura prë frymë 1478 dollarë dhe e coi në 3687 dollarë për frymë pra thuajse 2.5 herë më shumë të ardhura për frymë në 40 vite. Por nga ana tjetër popullsia u rrit tre herë gjatë kësaj periudhe! Të gjitha këto cmime janë të rregulluara si të ishin cmimet e vitit 2011.

Pa hyrë në interpretime ideologjike ekonomisë së tregut dhe tregjeve të lira iu deshën vetëm dhjetë vjet dhe me rënie të popullsisë aktive për punë për të dyshifshuar mirëqënien e qytetarëve të vet. Në vitin 1998 Shqipëria kishte 4355 dollarë për frymë ndërsa në vitin 2010 arriti në 9300 dollarë për frymë pra 2.1 herë më të larta.

Në këto tre etapa historike Shqipëria dhe Kosova janë pasuruar vetëm kur kanë patur mundësi të kenë tregje të lira e konkurruese e kur kanë lejuar iniciativën e sipërmarrjes së lirë dhe instrumentat e tregut. Këto cojnë në menaxhim të mirë të burimeve të kombit dhe në pasurimin e tyre. Në këtë kuptim burimet natyrore, burimet njerëzore, gjeografia e klima etj., gjithnjë kanë qënë prezent, por ka qënë vetëm parimi i Konsensusit të Washingtonit për liberalizim tregjesh që mundësoi dekadën më të mirë historike të Shqipërisë e Kosovës bashkë. Ishin këto politika që ulën nivelin e varfërisë në Shqipëri nga 800.000 njerëz në vitin 2002 në më pak se 300.000 në vitin 2010.

Po ashtu në vitin 2002 Kosova kishte të ardhura për frymë 1400 dollarë e sot ajo ka 3975 dollarë. Pra 500 mijë njerëz të dalë nga varfëria në vetëm tetë vjetë, katërfshim të ardhurash rritje pagash e rendimenti të ekonomisë janë rezultat i ekonomisë së tregut dhe iniciativës së lirë. Në këtë proces krijohet pabarazi sepse disa janë më të zotë se të tjerët. Albin Kurti thotë që këta të pasur nuk janë më të zotë se të tjerët, por sistemi i lejoi ata të bëhen më të zotë. Ky nihilizëm nuk ndërton dot ekonomi e Republikë ashtu sic dhe kërkon Albin Kurti. Shtetëzimet e taksat e larta janë vetëm nisja e varfërimit të Kosovës e Shqipërisë. Ndaj të bëjmë dallimet e rëndësishme mes ideologjive të majta të cilat gjetën strehë lehtësisht në shtëpinë e lënë djerrë të shtetit shqiptar dhe “urrejtjes” ndaj kryeministrit të Tiranës në politikat e tij rajonale. Një objektiv politik nuk justifikon dot mbështetjen e madhe për një marksist që ofron zhbërjen e suksesit të punës vetjake të cdo shqiptari në emër të të mirës publike (e cila do të ketë vetëm formën që do Albin Kurti dhe marksistët e tjerë).

Leave A Reply

Your email address will not be published.