The news is by your side.

83.9% e të ardhurave të familjeve të varfëra shqiptare për ushqim dhe fatura

Para disa ditësh Instituti i Statistikave publikoi të dhënat zyrtare, sipas të cilave rezultonte se familjet shqiptare shpenzonin mesatarisht 44% të buxhetit të tyre vetëm për përmbushjen e nevojave bazike të ushqimit, në një kohë kur i njëjti tregues në Bashkimin Europian rezulton vetëm 16%.

Por gjendja aktuale është edhe më shqetësuese pasi qytete të tilla si Durrësi, Berati, Elbasani apo Dibra, kanë rritur nivelin e shpenzimeve për ushqime krahësuar me një vit më parë. Nga ana tjetër, të dhënat zyrtare nga anketa e buxhetit të familjeve për vitin që lamë pas theksojnë se 90% e familjeve shpenzon plot 83.9% të buxhetit vetëm për konsum. Vlera mesatare e shpenzimeve të kësaj kategorie përllogaritet rreth 70.788 lekë në muaj.

Nga ana tjetër, 10% e familjeve më të pasura se pjesa tjetër e popullsisë shpenzojnë 16,1% të buxhetit për konsum, në një vlerë mesatare prej 122.242 lekësh në muaj. Thënë kjo, shpenzimet mesatare të konsumit të 10 % të familjeve me shpenzime më të larta janë 1,7 herë më shumë se ato të 90% tjetër të familjeve.

Revista Monitor gjithashtu bën me dije se konsumi për frymë i 90% të familjeve me shpenzimet më të ulëta janë mesatarisht 20.294 lekë në muaj, ndërsa 10% i  familjeve me shpenzimet më të larta janë mesatarisht 60.987 lekë në muaj për frymë.

Nga ana tjetër, shtresa e varfër e popullsisë në vend, duke qenë përballë një gjendjeje kaq të keqe financiare, me të ardhura shumë të ulëta që me vështirësi menaxhohen vetëm për të blerë ushqimet bazë të shportës, është gjithashtu e paarsimuar. Ajo shpenzon vetëm 0.2% të të ardhurave mujore në arsim. Përveç ushqimit, familjet shqiptare i shpenzojnë të ardhurat e mbetura për të paguar faturat mujore të ujit apo energjisë elektrike.

Sipas të dhënave të vitit të kaluar, siç raportohet nga Revista Monitor, rezultoi se familjet shqiptare shpenzuan mesatarisht 53.3% të buxhetit mujor për blerjen e ushqimeve dhe 22.7% të pjesës së mbetur për qiranë, faturat mujore të dritave dhe të ujit dhe mirëmbajtjen e banesës.

Gjendur përballë një situate të tillë, ku shpenzimet e ushqimit dominojnë buxhetin e një familjeje, të ardhurat që shkojnë për argëtim, komunikim ose kategori të ngjashme, janë thuajse të papërfillshme për familjet me shpnezime mujore të ulëta. Shumica e shqiptarëve akoma jetojnë në kufijtë e mbijetesës, ku përmbushja e nevojave jetësore bazike është ende objektiv kryesor.

Gliqeri Riza

Leave A Reply

Your email address will not be published.