The news is by your side.

5 dështimet e shtetit shqiptar në Astir

Nga Adri Nurellari

Ka kaluar më shumë se një vit prej nisjes së protestave të banorëve të ndërtimeve të palegalizuara të zonës së Unazës së Re apo që ndryshe i thonë Astir. Ironikisht emri Astir i vjen nga një kompani bojërash dhe kjo aferë me të vërtetë e ka njollosur rëndë shtetin e së drejtës në Shqipëri duke nxjerrë në pah së paku dështime të njëpasnjëshme të funksionimit ligjor të shtetit.

Së pari njëherë është dështim moral sepse e pandershme që pronarët e shtëpive nuk janë duke u dëmshpërblyer plotësisht për pronën e tyre me vlerat e tregut ndërkohë që kanë pothuaj një dekadë e gjysëm që janë në proces e sipër të legalizimit dhe kanë paguar për kaq shumë vite taksa. Në fund të fundit shumica e atyre ndërtimeve janë ndërtuar me para, djerse e kursime jete, në tokë të blerë me para dhe fakti që ende nuk kanë leje vjen edhe si përgjegjësi e institucioneve shtetërore, të cilat s’kanë ofruar plane zhvillimore urbanistike dhe leje ndërtimi për t’i paraprirë nevojës masive për strehim. Faktikisht praktikat ligjore të vendeve të avancuara perëndimore e njohin parimin e legalizimit të pronësisë së shfrytëzuar për një kohë të gjatë edhe pa iu futur një procesi legalizimi sikurse që ai i vitit 2005. Pra edhe në rast se dikush e banon një pronë pa leje për një kohë të gjatë. Ky parim i njohjes së titullit të pronësisë ndaj dikujt që e përdor pronën e patundshme për një kohë të gjatë pa ia sfiduar dikush këtë pronësi, e ka zanafillën që në të drejtën romake me konceptin e quajtur usucapio.

Dështimi i dytë ka të bëj me zvarritjen e panevojshme të procesit të legalizimit i cili nisi në vitin 2005 për të formalizuar ndërtimet pa leje të bëra në 14 vjetët e parë të tranzicionit dhe ndërkohë kanë kaluar 14 vjetë të tjerë tranzicion dhe ky proces ende nuk është finalizuar. Me këtë proces breshke me siguri do të kalojë një gjysëm tjetër shekulli pa i legalizuar ndërtesat informale. Ndërkohë miliarda euro mbeten të varrosura në këto ndërtesa sepse pa legalizimin e tyre nuk mund të merren apo jepen me qira ligjërisht dhe as mund të përdoren si kolateral për të marrë kredi në bankë.

Një tjetër dështim ka të bëj me vendosjen e shtetit të së drejtës në Shqipëri sepse pikërisht lihet zvarrë një proces kaq i rëndësishëm formalizimi që do të fuste në qarkullim një pjesë të rëndësishme të pasurisë së patundshme të shqiptarëve. Por ajo që është më e rëndë është përdorimi i standardeve të dyfishta për sa i përket legalizimit të vendbanimeve të ndërtuara pa leje. Politikanët dhe burokratët e korruptuar i mbajnë peng dhe nuk ua japin tapitë pronarëve që janë në proces legalizimi sepse këtë legalizim e përdorin si mjet presioni për të marrë ryshfete prej tyre apo e përdorin si instrument elektoral. Pra e përdorin legalizimin edhe si peshqesh për të motivuar pronarët pa leje që të votojnë një parti në këmbim të tapisë së legalizimit. Jo më kot kryeministri kur ishte lider opozite në 2013 iu premtoi gëzimin e plotë të pronës së tyre dhe legalizim të përshpejtuar të njëjtëve banorë që sot po shikojnë shtëpitë e tyre duke u shkatërruar.

Situata në Astir sot nënkupton se janë dhjetëra mijëra pronarë që nuk mund të flejnë të qetë sepse janë të shantazhueshëm nga zyrtarët që nuk ua mundësojnë legalizimin. Kjo gjendje informale i mban ata në ankth të kërcënuar prej ndonjë veprimi arbitrar dhe fadromat që mund të shfaqjen sikurse ndodhi me Astirin.

Një dështim i shtetit akoma më i madh lidhet padyshim me aferën korruptive që u zbulua lidhur me projektin infrastrukturor. Duket sikur është harruar një ndër skandalet më të mëdha e flagrante të bëra ndonjëherë në Shqipëri me tenderin prej 20 milionë eurosh të fitur prej DH Albania për ndërtimin e Unazës së Re. Ka qenë e paprecedentë moskokëçarja dhe vetëbesimi me të cilin qeveritarët i dhanë këtë tender një kompanie të drejtuar nga 26-vjeçari Avdjol Dobi i cili me të njëjtën mënyrë abuzive kishte marrë edhe një tender prej 8 milionë eurosh prej OST. Ajo që e bëri akoma më qesharak aferën qe edhe zbardhja e manipulimit me kompaninë fiktive “Dunëell Haberman”, me seli në Dalaware të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe falsifikimi i firmës së guvernatorit të këtij shteti. Ende nuk ka ndonjë para ligjit për këtë aferë gjigande dhe si zakonsisht sistemi ynë i drejtësisë që kultivon padrejtësinë dhe e ka futur në kalendat greke me shpresë që të mbulojë harresa.

Dështimi i pestë ka të bëjë me pandshkueshmërinë e papërgjegjshmërinë që do shohim lidhur me pasoja e mëtejshme që do rrjedhin në të ardhmen prej këtij abuzimi që bëhet me të drejtën e banorëve të Astirit. Pra, gjasat janë të mëdha, që banorët e nëpërkëmbur të fitojnë proceset gjyqësore e të marrin dëmshpërblim nga buxheti i shtetit. Dëmi i reputacionit të shtetit do të dëmtohet akoma më tepër nëse shikohet se pas disa vitesh në shtëpitë e tyre të prishura do të ndërtohen pallate.

Për ta sqaruar atë që pritet të ndodhë me banorët e Astirit mjafton të kujtojmë çështjen e shkatërrimit të ndërtimit të pallatit të kompleksit Jon në Vlorë në 2013. Në tetor të vitit 2013, vetëm një muaj pasi Rama ishtë bërë kryeministër, inspektorati i territorit izoloi pallatin e ngritur afër Ujit të Ftohtë dhe një muaj më vonë qeveria nxori një vendim për të dëmshpërblyer banorët me 3.4 milionë euro banorët e pallatit. Mandej një javë më pas e hodhi pallatin në erë mirëpo banorët e apeluan dëmshpërblimin duke shteruar hapat e gjyqësorit vendas dhe duke e çuar çështjen në Gjykatën e Strasburgut.

Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut mori vendimin se qeveria shqiptare ka vepruar në mënyrë të paligjshme duke e dënuar atë të paguajë 13.1 milionë euro brenda tre muajsh përndryshe për çdo ditë shtesë do të ngarkoheshin interesa. Ato para u paguan nga taksapaguesit shqiptarë, ndërkohë që askush nga qeveritarët përgjegjës që dhanë lejen apo vendosën ta prishnin për arsye hakmarrje politike nuk mbartën asnjë kosto. Për rrjedhojë gjasat janë të mëdha që edhe banorët e Astirit ta fitojnë gjyqin për pronën që po iu shkatërrohet sot dhe shkaktojnë një tjetër barrë për buxhetin e taksapaguesve por që sdo preki xhepat e atyre që morën vendimin e mbajnë përgjegjësinë e vërtetë për padrejtësinë që po iu shkaktohet.

Leave A Reply

Your email address will not be published.