The news is by your side.

26 mijë subjekte zvarriten prej vitesh për kompensimin e pronave, qeveria tkurr fondin e dedikuar

Problemi i pronave ka qënë një prej më seriozëve të dekadave të fundit. Për vite pasojat kanë qënë të rënda, pasi pronësia është bërë shumë herë shkaku i tensioneve dhe përplasjeve të ashpra që kanë rezultuar madje edhe në krime me pasoja për jetën. Aktualisht, sipas të dhënave nga zyra e Avokatit të Popullit, theksohet se rreth 26 mijë subjekte janë ende në pritje të procesit të kthim- kompensimit të pronës dhe prej vitesh procesi ka ngelur peng i zvarritjeve pa fund.

Shifra në fjalë, si çështje që nuk janë shqyrtuar prej vitesh nga Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, duket se me ecurinë e fundit nuk pritet të ketë ndonjë përmirësim. Institucioni në fjalë, aktualisht me emër të ndryshuar dhe i quajtur Agjencia e Trajtimit të Pronave, mesatarisht kompenson vetëm 800 pronarë në vit. Sigurisht, krahësuar me listën e gjatë të subjekteve në pritje, vlera në fjalë është relativisht shumë e ulët.

Por duket se pavarësisht seriozitetit të çështjes, problemi i pronave do të vazhdojë të mbetet po kaq madhor edhe në vazhdim, në një kohë kur qeveria nuk planifikon masa konkrete për të gjetur një zgjidhje dhe përshpejtuar procesin. Kjo pasqyrohet edhe në projektbuxhetin e vitit të ardhshëm 2020.

Nga 4.8 miliardë lekë që qeveria kishte planifikuar në fillim të vitit aktual për kompensimin e pronarëve gjatë 2019-ës, për vitin e ardhshëm kjo vlerë ka zbritur në 3.7 miliardë, duke u reduktuar me rreth 22% ose 1.1 miliardë. Kështu, me sa duket më pak pronarë do përfitojnë nga kompensimi i merituar dhe shumë më shumë të tjerë do vazhdojnë të presin akoma, si 30 vitet e shkuara.

Leave A Reply

Your email address will not be published.