The news is by your side.

2.2 km rrugë që kushtojnë 36 milionë euro- çfarë përfshin projekti i Unazës së Madhe?

Fillimi i Lotit të parë të projektit të Unazës së Madhe, i cili duket se ishte planifikuar për ditën e djeshme ka shkaktuar shumë tensione në kryeqytet. Plot 33 objekte ishin planifikuar të shembeshin nga Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit, prej të cilave vetëm 21 ishin të shpronësuar. Aksioni i prishjes së banesave dhe objekteve në fjalë filloi dje dhe situata përshkallëzoi në dhunë fizike dhe përplasje të ashpra ndërmjet forcave të policisë dhe banorëve, që tentuan të mbronin pronat e tyre.

Për shkak të përplasjes shumë persona mbetën të plagosur, ndërkohë që shumë të tjerë u shoqëruan në polici dhe filluan të ndiqen penalisht për një sërë veprash penale. Nga bilanci i policisë, deri tani numri i të proceduarve arrin në 26.

Por çfarë përfshin projekti i shumëdiskutuar i Unazës së Madhe dhe sa pritet të zgjasë dhe kushtojë ai?

Projekti i rindërtimit të Unazës së Madhe ndahet në tre lote kryesore dhe ka një gjatësi prej 2.2 km. Si shtrirje ai përfshin rrugën që tek rrethrrotullimi i ish sheshit Shqiponja e deri në zonën e pallatit me shigjeta. Unaza do të jetë rrugë e kategorisë A, pra autostradë me lëvizje të pandërprerë, ndërkohë që projekti përfshin edhe ndërtimin e rrugëve dytësore, që do të lidhin lagjet e zonës me unazën kryesore.

Nga ana tjetër, projekti përfshin gjithashtu ndërtimin e dy mbikalimeve dhe një nënkalimi. Sipas ARRSH projekti përllogaritet të kushtojë rreth 36 milionë euro, ku 14 milionë do të shpenzohen vetëm për nënkalimin. Puna do të zgjasë rreth 2 vite dhe pas shembjes së objekteve ditën e djeshme, ajo pritet të fillojë javën e ardhshme.

Leave A Reply

Your email address will not be published.