The news is by your side.

15 469 shqiptarë aplikuan për azil vetëm në janar- shtator 2019

Vitet e fundit vendi është përfshirë nga një valë e madhe emigracioni që sa vjen edhe rritet. Gjithmonë e më tepër shqiptarët i shohin shtetet e Europës dhe më tej si mundësia për të pasur shkollimin, jetesën e punën që duan dhe që vendi i tyre nuk i’ua ofron dot. Varfëria, kushtet e vështira ekonomike, mungesa e sigurisë, korrupsioni, mos-zbatimi i ligjit dhe dhuna janë disa nga arsyet madhore që shtyjnë shqiptarët drejt emigrimit.

Megjithatë, në një kohë kur shqiptarët duan të largohen, shtetet e Europës janë bërë edhe më strikte kur vjen puna tek lejimi i tyre për të qëndruar në mënyrë të ligjshme në vendet respektive. Gjermania, e cila rreth viteve 2015-2017 ishte një nga destinacionet më të preferuara, pati asokohe një valë emigrantësh që kërkonin azil, me shpresën e qëndrimit atje. Politikat e shtrënguara bënë që shumë të kthehen dhe një interes të lartë ngjallte më vonë Franca, ku filluan të shkonin po ashtu një numër i lartë shqiptarësh.

Me sa duket tendenca e emigrimit të lartë jo vetëm që nuk është frenuar nga politikat e shteteve europiane, por vazhdon akoma me ritme të shpejta. Sipas disa publikimeve të fundit nga Zyra Europiane e Mbrojtjes së Azilantëve, një institucion i Bashkimit Europian, bëhet me dije se krahësuar me një vit më parë, numri i shqiptarëve që duan të largohen ka ardhur duke u rritur gjatë vitit aktual. Kështu të dhënat zyrtare theksojnë se gjatë periudhës Janar- Shtator 2019 rreth 15 469 shqiptarë aplikuan për azil për herë të parë, në një kohë kur për po të njëjtën periudhë të një viti më parë numri ishte vetëm 12 835. Thënë kjo, në një vit 21% më shumë shqiptarë tentuan për herë të parë të sigurojnë një qëndrim të ligjshëm në BE.

Burimi: Zyra Europiane e Mbrojtjes së Azilantëve
Përpunuar nga Atlasi.al

Sipas vlerësimeve nga i njëjti burim theksohet se Shqipëria është një ndër dhjetë vendet me numrin më të lartë të azilkërkuesve për vendet e Bashkimit Europian. Ajo renditet krahas Iranit, Pakistanit, Nigerisë, Irakut dhe vendeve të tjera të ngjashme të dala nga luftra dhe kushte ekstreme varfërie dhe mungese sigurie.

Leave A Reply

Your email address will not be published.