The news is by your side.

1 dekadë ka kaluar dhe asgjë nuk ka ndryshuar! Shqipëria përsëri e 102-ta në botë referuar të ardhurave për frymë.

Institucionet ndërkombëtare gjithmonë kanë qënë kritike kur vjen puna tek ecuria ekonomike e Shqipërisë, masat që duhet të merren apo politikat e ndryshme zhvillimore. Madje shumicën e rasteve ato publikojnë shpesh parashikime të ndryshme nga projeksionet e qeverisë për treguesit ekonomikë. Vetëm disa ditë më parë Banka Botërore, FMN, BERZH dhe Instituti i Vienës rishikuan vlerën e rritjes ekonomike shqiptare, me vlera rreth 2.8%, shumë më të ulëta se sa qeveria që e projekton atë 3.4%.

Por duket se rritja ekonomike e rishikuar nuk është treguesi i vetëm i marrë në shqyrtim nga institucionet ndërkombëtare. Së fundi në “Pasqyrën Ekonomike Globale” për tetorin 2020 janë publikuar të dhënat e një studimi kryer nga Fondi Monetar Ndërkombëtar lidhur me të ardhurat për frymë të shqiptarëve.

Sipas statistikave theksohet se gjatë vitit 2019, të ardhurat për frymë të shqiptarëve arrinin mesatarisht në 5732 dollarë në vit. Krahësuar me vendet e rajonit, Shqipëria është në vlera më të ulëta se sa çdo fqinj tjetër përveç Kosovës. Kështu në rajon kryeson Mali i Zi si vendi me të ardhurat më të larta për frymë, ndërkohë që Kosova renditet e fundit me gjithësej 4442 dollarë.

Nga ana tjetër, edhe nëse krahësimi ndodh më gjerë, me shtetet e tjera të Europës, edhe këtu Shqipëria është një nga vendet me të ardhurat më të ulëta. Ajo lë pas Ukrainën dhe Moldavinë, si shtetet të dala nga ish Bashkimi Sovjetik, ndërkohë që situata bëhet serioze kur raporti thekson se niveli i ulët i të ardhurave për frymë e rendit Shqipërinë në vendin e 102 në botë, nga 192 në total. Me të tilla përfundime Shqipëria qëndron në pozicione të ngjashme me Libanin, Paraguajin, Irakun dhe Libinë.

Por alarmant është gjithashtu fakti se sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar, edhe para 10 vitesh, nga statistikat e atëherëshme Shqipëria rezultonte përsëri në vendin e 102. Me sa duket një dekadë ka kaluar dhe asgjë nuk ka ndryshuar. Rritja ekonomike e ulët duket se akoma nuk prodhon mirëqënie për qytetarët që ende përpiqen me vështirësi të përmbushin nevojat bazike të jetesës.

Bashkimi Europian, ku ne aspirojmë shumë të shkojmë ka një mesatare të ardhurash për frymë rreth 35 mijë dollarë, gati 7 herë më të lartë se sa të ardhurat vjetore të një shqiptari mesatar.

Leave A Reply

Your email address will not be published.