The news is by your side.

1/3 e të arsimuarve në vend kanë emigruar- Forca aktuale e punës me mangësi të mëdha në kualifikim.

Emigracioni është prej vitesh tanimë një nga problematikat më të diskutuara për shoqërinë shqiptare. Gjithmonë e më tepër shqiptarët dëshirojnë largimin drejt një shteti tjetër të Europës ose më gjerë, me shpresën se do të gjejnë atje mundësitë e munguara dhe do të arrijnë të kenë kushtet që Shqipëria nuk ua plotëson dot.

Megjithatë në këtë valë emigracioni që ka përfshirë vendin dhe çdo grupmoshë, duket se të rinjtë dhe të rriturit e kualifikuar që kanë tashmë një profesion, janë pjesa që shkaktojnë më shumë shqetësim. Të cilësuar si “truri i kombit” personat e kualifikuar sjellin pasoja serioze socio-ekonomike me largimin e tyre për një jetesë jashtë vendit. Për pasojë, tregu vendas i punës mbetet në gjendje të vështirë dhe forca e punës nuk ka kualifikimet e nevojëshme për t’i shtuar vlerë proceseve të punës.

Këto përfundime theksohen edhe nga një raport i fundit i Bankës Botërore, i cili bën me dije se në Shqipëri norma e të larguarve me arsim të lartë rezulton rreth 40%, ndër vlerat më të larta në rajon. Gjithashtu sipas përfundimeve të raportit theskohet se gjatë dekadës së fundit rreth 1/3 e atyre që kanë kryer arsimin e lartë në vend, kanë emigruar jashtë Shqipërisë.

Por kur vjen puna tek të arsimuarit që jetojnë në vend dhe janë pjesë e forcës së punës, Banka Botërore nxjerr në pah disa përfundime të tjera po kaq shqetësuese. Sipas saj, Shqipëria është një prej vendeve me hendekun arsimor më të lartë në Europën Lindore, pasi shqiptarëve i`u mungojnë rreth 4 vite arsimim. Pra mesatarisht, shqiptarët kanë kryer 4 vite më pak shkollimi se sa norma e përgjithshme e rajonit.

Thënë kjo, ata janë në një deficit të ndjeshëm arsimor dhe së bashku me Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut janë tre shtetet me vlerat më të ulëta në Ballkanin Perëndimor. Me sa duket, Shqipëria që aktualisht i shqetësohet emigracionit masiv, duket të kthejë vëmendjen edhe tek forca e punës e ngelur në vend, e cila është e pakualifikuar dhe jo mjaftueshëm e arsimuar.

Leave A Reply

Your email address will not be published.