The news is by your side.

Tirana, qyteti me cilësinë më të keqe të jetesës në Evropë

Tirana renditet e 175-a nga 231 qytete kryesore në botë, për cilësinë e jetesës në 2019, sipas një indeksi të përvitshëm të kompanisë këshilluese Mercer, që e bën vlerësimin duke u bazuar në 39 kritere të ndryshme. Në krahasim me një vit më parë, Shqipëria është përmirësuar me një vend, ndërsa mbetet e fundit, jo vetëm në rajon, por edhe në Evropë.

Kryeson listën rajonale Zagrebi i 98, më pas Beogradi renditet i 139, Sarajeva e 156 (përmirësim me tre vende), Shkupi renditet i 161.

Qyteti më i mirë për të jetuar në botë vijon të jetë Vjena e Austrisë, e ndjekur nga Zyrihu në Zvicër, Mynih në Gjermani, Vancouver në Kanada, Auckland-Zelanda e Re, Düsseldorf-Gjermani, Frankfurt-Gjermani, Kopenhagen-Danimarkë, Gjeneva-Zvicër, Basel-Zvicër. Ka një mbizotërim të qyteteve evropiane, që janë tre të parat në botë.

Nga qytetet italiane, më i miri për të jetuar është Milano, në vend të 41, e ndjekur nga Roma (56), ndërsa nga greket, Athina në vend të 89.

Pesë qytetet më të këqija në botë janë Khartoum (Sudan); Port au Prince (Haiti); Sana’a (Yemen Arab Republic) Bangui (Central African Republic) dhe i fundit e mbyll listën Bagdati në Irak.

Kushtet e jetesës janë analizuar në bazë të 39 faktorëve, grupuar në 10 kategori:

-mjedisi politik dhe shoqëror (stabiliteti politik, krimi, zbatimi i ligjit, etj.)

-mjedisi ekonomik (rregulloret e këmbimit të monedhës, shërbimet bankare)

-mjedisi socio-kulturor (disponueshmëria e medias dhe censura, kufizimet në lirinë personale)

-shërbimi mjekësor dhe shëndetësor (furnizimet mjekësore dhe shërbimet, sëmundjet ngjitëse, kanalizimi, hedhja e mbeturinave, ndotja e ajrit, etj.)

-shkollat dhe arsimi (standardet dhe disponueshmëria e shkollave ndërkombëtare)

-shërbimet publike dhe transporti (energjia elektrike, uji, transporti publik, bllokimet e trafikut, etj.)

-vendet për argëtim (restorante, teatro, kinema, qendra sportive dhe të kohës së lirë, etj.)

-mallrat e konsumit (disponueshmëria e artikujve ushqimorë/ artikuj të konsumit të përditshëm, makina, etj.)

-strehimi (strehimi me qira, pajisje shtëpiake, mobilie, shërbimet e mirëmbajtjes)

-mjedisi natyror (klima, regjistrime të fatkeqësive natyrore)

Apeli i qyteteve si një vend për të jetuar dhe punuar është një aspekt kyç i tërheqjes së talenteve, si dhe bizneseve globale dhe lokale, thekson raporti. Për të përmirësuar cilësinë e jetesës së një qyteti, Mercer sugjeron të adresohen pyetjet e mëposhtme:

-Si po e orienton qyteti rritjen dhe si po e promovon globalisht

-A është qyteti i ndërlidhur mirë me infrastrukturën e transportit dhe komunikacionit

-A krijon qyteti mjedise për të tërhequr talentet që të jetojnë aty./Monitor.al

Leave A Reply

Your email address will not be published.