The news is by your side.

Në kërkim të lumturisë: Pse shqiptarët nuk janë të lumtur?

Shqiptarët renditen në vendin e 107 nga 156 shtete në indeksin e lumturisë 2019, të publikuar sot nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, duke qenë të fundit në Evropë, pra më pak të lumturit.

Treguesit në të cilët bazohet indeksi marrin për bazë të ardhurat për frymë, pritshmërinë për një jetë të shëndetshme, mbështetjen nga miqtë dhe të afërmit, të dhënat për bamirësi, liria për të bërë zgjedhje në jetë dhe nivelet e perceptuara të korrupsionit, tregues për të cilët shqiptarët duket se rezultojnë më të pakënaqurit në rajon dhe Evropë.

Shqipëria renditet në pothuajse të njëjtat nivele me shtete të tilla si Venezuela, Kamboxhia, Territoret Palestineze, Somalia, Namibia, Laosi etj.

Çfarë është lumturia dhe çfarë i bën njerëzit të lumtur?

Lumturia ka qenë një subjekt “studimi” që në zanafillën e mendimit. Për të dhe rreth saj kanë shkruar shumë filozofë dhe psikologë. Sipas Aristotelit (384-322 p.e.r), çdo qenie është përcaktuar të përmbushë funksionin për të cilën është bërë. Për të, Lumturia është e mira supreme dhe për njeriun lumturia është të veprojë sipas virtytit që i shkon për shtat, pra sipas natyrës së tij të vërtetë.

Në ditët e sotme shpesh herë lumturia barazohet me mirëqenien ekonomike, por, nga studime të shumta është vënë re një fenomen i cili bie ndesh me këtë konsideratë. Në një vend, njerëzit e pasur janë më të lumtur se njerëzit e varfër dhe një vend i pasur është më i lumtur se një vend i varfër, pra, në një periudhë të caktuar kohore, lidhja lumturi-rritje ekonomike ose lidhja lumturi-të ardhura është pozitive. Por, nëse shohim lidhjen përgjatë kohës, ndërkohë që vendet bëhen më të pasura, njerëzit nuk bëhen më të lumtur. Ky është Paradoksi Easterlin.

Abraham Maslow

Nëse lumturia nuk ka lidhje të rëndësishme me të ardhurat (rritjen) atëherë çfarë e shkakton atë? Këtë përgjigje e ka dhënë psikologu modern Abraham Maslow (1904-1970), i cili nëpërmjet një pyetësori ka ndërtuar një piramidë nevojash dhe ka dalë në konkluzion se lumturisë i përafrohet secili prej nesh sa herë që plotëson deri në një masë të mjaftueshme nevojat e tij.

Cilat janë këto nevoja?  

Maslow rendit se janë pesë nevoja të vendosura në mënyrë hierarkike, të parat dhe më të domosdoshmet janë nevojat natyrale që konsistojnë në nevojën për ushqim, strehim dhe veshmbathje. Pasi një njeri ka plotësuar deri ne një farë mase këto nevoja i lind nevoja e sigurisë, këtu ai ka nevojë të ndihet i sigurt dhe mjetet që përmbushin nevojat e para t’i ketë të kanalizuara në planin afatgjatë.  Nevoja e tretë është ajo për njohje shoqërore dhe pjesëmarrje, këtu njeriut i lind nevoja për disa gjëra më tepër se sa të mirat materiale, ai ka nevojë të përkasë diku, të ketë shoqëri, të dojë dhe të duhet. Nevoja e katërt është ajo e pavarësisë, njerëzit që kanë këtë nevojë kërkojnë pavarësi, liri veprimi, shprehje të fjalës, nevojën për të qenë të pranishëm në vendimmarrje. Nevoja e pestë dhe e fundit është ajo e vetërealizimit. Për të pasur këtë nevojë nuk është kusht plotësimi i nevojave të tjera, në këtë grup bëjnë pjesë një numër i vogël njerëzish, janë pikërisht ata që kanë bërë shpikjet e mëdha, gjenitë e muzikës, të gjithë ata që i kanë shërbyer për mirë njerëzimit.

Pra, pasuria sipas Maslow, arrin që të plotësojë vetëm dy nevojat e para, ato natyrale dhe të sigurisë. Nëse dikush jeton në varfëri ekstreme është e qartë se ajo çka do e bënte atë të lumtur do të ishte sigurimi i ushqimit dhe strehimit. Por, nëse ky person del nga varfëria dhe për një kohë të gjatë jeton mirë, ushqimi dhe strehimi nuk e bëjnë më të lumtur. Automatikisht, ai do të ndjente nevojën për shoqëri, miq dhe familje.

Ja pse njerëzit më të pasur nuk bëhen më të lumtur kur bëhen akoma dhe më të pasur. Pasuria nuk është ajo çka atyre u mungon, por mund të jetë një familje, liria e vendimmarrjes për jetën e tyre, etj.

Pse shqiptarët nuk janë të lumtur?

Një pjesë e mirë për shkak të nivelit të ulët të të ardhurave të tyre, me të cilat nuk munden të plotësojnë nevojat bazë për ushqim, strehim dhe veshmbathje. Gjithashtu, niveli i lartë i korrupsionit ndikon drejtpërsëdrejti në lumturinë e shqiptarëve sepse i privon nga mundësia për të fituar një punë që meritojnë, për të hapur një biznes që e kanë ëndërr, për të marrë notat që meritojnë dhe për të jetuar në një vend që harton politika të drejta.

Niveli i lartë i krimit, kryesisht i vjedhjes dhe i trafikimi të drogës bën që të jenë të pasigurt në vendin ku jetojnë. Lëmshi me të drejtat e pronësisë ende i pazgjidhur u jep pasiguri për shtëpinë e tyre. Papunësia e lartë, informaliteti, vështirësia për të gjetur një punë dhe diskriminimi janë faktorë të tjerë.

Ndryshe nga ne, rajoni ka bërë përmirësime në këtë aspekt. Nga vendet e rajonit, Bosnja është në vend të 78, me një përmirësim të dukshëm nga 98 që ishte vitin e mëparshëm, Maqedonia në vend të 84 (përmirësim me 5 vende), Mali i Zi në vend të 73 (përmirësim me 8 vende), Serbia në vend të 70 (8 vende më shumë). Ndryshe nga shqiptarët e Shqipërisë, ata të Kosovës janë shumë më pozitivë dhe të lumtur me jetën e tyre. Kosova, renditet në vend të 46, me një përmirësim të ndjeshëm  prej 20 vendesh dhe duke qenë më e lumtura në rajon dhe e 16-a në botë për ndryshimin pozitiv të këtij indeksi për periudhën 2016-2018.

Leave A Reply

Your email address will not be published.